Uragani “Mathew” kërcënon rrezikshëm Xhamajkën

01/10/2016 00:00

Uragani më i fortë i 9 viteve të fundit në Atlantik po shkon drejt Xhamajkës me erëra me shpejtësi deri në 260km/h, të fuqishme mjaftueshëm për të shkatërruar shtëpitë.

Meteorologët e kanë cilësuar “Mathew”-n si një uragan të kategorisë 5, shkalla më e lartë e stuhive. Autoritetet e larta në Xhamajka kanë nisur zhvillimin e mbledhje emergjente për të diskutuar masat që duhen marrë, ndërsa shumë ekspertë thonë se tashmë janë vonë, pasi pritet që uragani të përplaset në brigjet e Xhamajkës të hënën.

Pritet që uragani të godasë fillimisht brigjet jugore të ishullit ku gjendet kryeqyteti Kingston dhe industria e përpunimit të naftës.

Autoritetet e Xhamajkës thanë se shpresojnë që uragani të ndryshojë drejtim dhe të shmangë ishullin por edhe në rastin më të keq, ato premtuan se po merren të gjitha masat e mundshme.

Ekipet e emergjencës, policia dhe ushtria janë në gjendje gatishmërie, ndërsa ka nisur ndërtimi i qendrave të emergjencës për njerëzit që mund ët preken nga stuhia. Paralajmërime për stuhinë e fuqishme janë dhënë edhe në Kolumbi e Haiti, ku gjatë fundjavës pritet të ndihen efektet e stuhisë, por jo e gjithë furia e saj.

Top Channel