FARC kërkon ndjesë, Komandanti i rebelëve kolumbianë shkon në shkollën e masakrës

01/10/2016 00:00

Arritjen e marrëveshjes historike në Kolumbi mes qeverisë dhe rebelëve marksistë pasuan një serë apologjish, më e fundit e të cilave vjen nga komandanti i Forcave të Armatosura Revolucionare, Ivan Marquez. Gjatë vizitës së një shkolle të Apartados, në pjesën bregdetare të vendit, kreu i FARC kërkoi ndjesë për masakrën e Chinitas në 1994-n ku u vranë 35 vetë.

“Kërkoj përulësisht ndjesë për të gjithë dhimbjen që mund të kemi shkaktuar përgjatë kësaj lufte. Të gjithë kemi bërë gabime në jetët tona, e disa kanë qenë me pasoja më të rënda sesa të tjerat. Nuk humbasim asgjë duke e bërë hapur një pohim të tillë”, u shprehet Ivan Marquez, komandant i FARC.

Zona në fjalë ka mbajtur ndoshta peshën më të madhe të konfliktit mes guerilëve majtistë dhe trupave qeveritarë, por masakra e përpara dy dekadave, ku vdiqën dhe dy fëmijë, ka lënë gjurmë si ndër më të përgjakshmet në rajon. Në frymën e pajtimit të shfaqur nga ekzekutivi dhe liderët e FARC-ut me nënshkrimin e paktit të paqes, viktimat e Apartados e shprehen faljen e tyre me një këngë.

Në 2 tetor do të mbahet referendumi që përcakton nëse marrëveshja do të ratifikohet apo jo, por sondazhet deri tani tregojnë se vota e kolumbianeve do të jetë favorizuese.

Top Channel