Meta në Çorovodë: Projekti TAP, arritje historike për Shqipërinë

01/10/2016 00:00

Përfshirja e Shqipërisë në projektin TAP është një nga arritjet më të mëdha historike që nga shpallja e pavarësisë, është shprehur kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Ai ka inspektuar punimet për rikualifikimin urban të bashkisë së Skraparit. “Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n e deri më sot, përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga arritjet më të mëdha historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike të Europës. Projekti TAP mund të realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë. Është bërë një përpjekje e madhe që Shqipëria të përfshihej në këtë projekt. Jemi shumë të kënaqur që është rritur mundësia për t’u punësuar dhe natyrisht që në këto vite kjo mundësi e shkëlqyer në radhë të parë i dedikohet projekteve mbështetëse për realizimin e TAP-it”, është shprehur Meta.

Duke vlerësuar projektin TAP si një mundësi e shkëlqyer për rritjen e punësimit dhe të ekonomisë, kreu i Kuvendit garantoi se projekte të tjera të rëndësishme kanë filluar për ta kthyer Skraparin edhe në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët.

“Jemi shumë të kënaqur që është rritur mundësia për t’u punësuar dhe natyrisht që në këto vite kjo mundësi e shkëlqyer në radhë të parë i dedikohet projekteve mbështetëse për realizimin e TAP-it, por ndërkohë ne duhet të mendojmë edhe për aktivitete të tjera që do të garantojnë një punësim afatgjatë këtu në Skrapar. Njëkohësisht projekte të rëndësishme për zhvillimin e turizmit kanë filluar dhe ne vizituam disa prej tyre të cilat do ta kthejnë Skraparin gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të dashura për të gjithë turistët vendas dhe të huaj”, vijoi më tej z. Meta.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i projektit TAP, Ian Bradshavv tha se 94% e infrastrukturës është rinovuar dhe “ato do të jenë në dobi të më shumë se 200 mijë personave”.

Top Channel