SHBA: Rusia nxit ekstremizmin

01/10/2016 00:00

Siria është bërë sërish temë përplasjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Veprimet e shtuara ushtarake të kësaj të fundit  sipas Uashingtonit po i shtyjne elementët e moderuar brenda opozitës siriane në krahët e ekstremizmit.

Sulmet ajrore ruse dhe ato të regjimit e kanë bërë akoma me konfuze një situatë edhe kështu të vështirë tha zedhenesi i Departamentit të Shtetit Mark Toner, duke lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund t’i japin fund bashkëpunimit me Moskën në këtë vend.

“Ato çfarë kanë ndodhur së fundi, goditja e autokolonës humanitare dhe rrethimi e bombardimi i Alepos,  krijojnë një tjetër skenar, ndryshojnë dinamikën e situatës sepse forcat e moderuara opozitare, të gjendura nën një presion jashtëzakonisht të madh nga regjimi, po shtyhen drejt Al Nusrës me të cilën detyrohen të luftojnë krah për krah. Gjendja po përshkallëzohet e po bëhet akoma më ç’orientuese nga ç’është tashmë”, tha Mark Toner, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Moska nga ana e saj akuzon Amerikën se po përpiqet ta mbështesë grupin xhihadist në përpjekjet për rrëzimin e Bashar Al Assadit nga pushteti. Shtetet e Bashkuara, tha kreu i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, e kanë shkelur premtimin e bërë për ta ndarë lëvizjen e fuqishme Jabhat Fateh al-Sham, të njohur deri vonë si fronti Al Nusra, dhe grupe të tjera ekstremiste,  nga rebelët e moderuar.

Top Channel