Veliaj inspekton punimet në “Myslym Shyri”

01/10/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, i cili inspektoi punën e nisur prej pak javësh për rikualifikimin urban të zonës “Myslym Shyrit”, ku vuri theksin te 50 kantieret e hapura në të gjithë qytetin dhe angazhimi i bashkisë për t’iu përgjigjur qytetarëve me investime.

“Kjo është një nga zonat model të Tiranës kur vjen puna te pagesa e taksave dhe korrektesën e treguar ndaj bashkisë. Pas shumë viteve erdhi koha që bashkia t’i kthejë investimin dhe t’i tregojë qytetarëve se me këtë rikualifikim i shtojmë vlerën çdo banese. Mjafton të shikosh rreth e qark e të kuptosh që këtu ka nevojë për dorë kudo, në fasada, trotuare, këndet e lodrave dhe në infrastrukturën e parkimit”, tha ai.

Veliaj shtoi se bashkia po punon maksimalisht për të garantuar kushte sa më të mira, edhe pse është e vështirë të prishet gjithçka që nuk është bërë si duhet në këto 25 vjet. Por, ai garantoi se përfundimi i punimeve në këtë bllok, si edhe në 50 kantieret ku po punohet aktualisht, garanton standardet e duhura për një jetesë normale.

Rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar nga rrugët “Muhamet Gjollesha”, “Myslym Shyri”, “Rruga e Kavajës” parashikon ndërtimin e sistemit të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve, rikonstruktimin e rrugëve dhe të trotuareve për këmbësorët, por edhe vendosjen e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale. Bashkia do të mundësojë infrastrukturën e duhur edhe për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar apo edhe karrocat e fëmijëve. Pjesë e projektit që shtrihet në një hapësirë rreth 12 ha është edhe krijimi i gjelbërimit të nevojshëm, duke vendosur shkurre, pemë dekorative apo edhe lulishte.

Top Channel