Si Espanyoli i Pochettinos e mposhti Barçën e Guardiolës

01/10/2016 00:00

Karriera si trajner e Mauricio Pochettinos nisi me Espanyolin në vitin 2009, me fitoren e tij të parë që do të vinte shumë shpejtë. Një fitore e mrekullueshme ndaj Barcelonës së Pep Guardiolës në “Camp Nou”. Argjentinasi e spanjolli do të përballen sërish, kësaj radhe në kampionatin anglez në sfidën më të bukur të javës, Tottenham-Manchester City. Por, t’i rikthehemi asaj fitoreje.

“Nuk e di si ia dolëm”, deklaroi Mauricio Pochettino, duke kujtuar atë natë shkurti të vitit 2009 kur ai shënoi fitoren e parë si trajner. “Espanyol ishte në fund ndërsa Barcelona në krye të klasifikimit. Të gjithë njerëzit thoshin që Espanyol do ta pësojë keq dhe nuk ka asnjë mundësi ndaj Barçës. Ishte një fitore e veçantë dhe e jashtëzakonshme”, vijoi argjentinasi.

E jashtëzakonshme është fjala e duhur për ta përshkruar atë fitore. Barcelona u fut në ndeshje si skuadra që kishte kreun e kampionatit spanjoll me 10 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt. Pep Guardiola nuk ishte mposhtur asnjëherë para tifozëve të tij. Ajo rezultoi humbja e tij e vetme në “Camp Nou” dhe për Espanyolin, fitorja e parë në derbi në 27 vite. 

Barca po kalonte në një formë të jashtëzakonshme. Në “Camp Nou”, ajo i merrte kundërshtarët me radhë. Valencia ishte larguar me “vetëm” 4 gola të pësuar. Almera e Deportivo ishin mposhtur 5-0, ndërsa edhe Ateltico Madrid kishte pësuar 6. Në fund të atij sezoni, Barça jo vetëm që fitoi titullin, por ngriti lart edhe trofeun e Kupës, Ligës së Kampionëve, Superkupen e Europës, Superkupen spanjolle dhe Botërorin e klubeve.

Espanyol ndërkohë, ishte e kundërta e Barçës, në një seri rezultatesh negative. Skuadra nga ana tjetër e qytetit kishte 14 ndeshje pa fitore, para se një fitore ndaj Osasunës të ishte “kufiri” me një tjetër seri rezultatesh negative. Bartolome “Tintin” Marquez u shkarkua për serinë e parë. Pasuesi i tij, Mane, e pagoi me punën e tij për serinë e dytë.

Në janar, skuadrën e ndanin vetëm 5 pikë nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria. Espanyol kërkonte me patjetër të qëndronte në kampionatin elitar spanjoll pasi në verë do të zhvendoseshin në stadiumin e ri. Ata iu drejtuan për ndihmë ish-mbrojtësit të tyre, Mauricio Pochettino. Një i pasionuar, student i një trajneri argjentinas si Marcelo Bielsa.

Për 36-vjeçarin kjo ishte puna e tij e parë si trajner. Ai kishte ndaluar së luajturi futboll aktiv vetëm 3 vite më parë. Ai nxitoi të rikthente disiplinën në skuadër, duke përjashtuar nga klubi Dani Ballart, personin që kujdeset rreth lojtarëve, pasi ishte shndërruar në personin që nxirrte lojtarët në lokalet e natës.

Pochettino e nisi me tre barazimi radhazi, që rikthyen vetëbesimin në skuadër, ndërsa edhe eliminimi nga Kupa pas dy ndeshjes ndaj Barcelonës dha sinjale pozitive. Por, Espanyol do të riktheheshin sërish në “Camp Nou” pasi një javë më parë kishin humbur 2-0 në shtëpi ndaj Sevillas. Një kalendar që nuk jepte shumë shpresë për skuadrën e argjentinasit.

“Po bëja tratativa që të instaloja një sistem të ndryshëm loje tek Espanyoli. Plani ishte që të ushtrojmë presing lart dhe t’i befasojmë. Më kujtohet Barcelona kishte lojtarë si Ronaldinho, Eto’o, Henry, Yaya Toure, Abidal, Puyol dhe Iniesta të cilët po kalonin në një formë të mirë, dhe ne vërtet i befasuam me lojën tonë”, kujton Pochettino.

Ndoshta kjo ishte e kuptueshme. Tashmë ishte bërë e zakonshme që ndaj Barcelonës, skuadrat mbroheshin. Skuadrat tentonin të mirëvendoseshin në mbrojtje dhe të eliminonin gabimet, sidomos në transfertë. Por, Espanyoli i Pochettinos kishte ide të tjera. Atë natë funksionoi.

Espanyol kaloi nëpër ferr. Henry për pak sa nuk shënoi me kokë, Xavi ishte i pafat me një gjuajtje, ndërsa Messi gjeti rrjetën… e jashtme. Pastaj, Seydou Keita u përjashtua me të kuq. “Si gjithmonë, duhet të keni edhe pak fat”, kujton Pochettino.

Espanyol fitoi 2-1 duke i shkaktuar Barçës humbjen e vetme në shtëpi atë sezon. Por, në atë ndeshje u “ringjall” vet ajo. Espanyol mori 25 pikë në dhjetë ndeshjet e fundit, duke i fituar 8 e duke e mbyllur kampionatin në mesin e renditjes.

Që nga ajo ndeshje, Pochettino ka arritur disa fitore të bukura ndaj trajnerëve si Mourinho apo emra të tjerë të mëdhenj, por asnjë nuk e zëvendëson fitoren e parë si trajner. Ndaj Guardiolës, ai do të takohet sërish të dielën, në përballjen më interesante të kësaj jave në kampionatin anglez, Tottenham-City.

Top Channel