Pas Nju Jorkut, Hoxhaj paralajmëron tri njohje të reja për Kosovën

30/09/2016 00:00

Nga takimet e kryera gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj pret tri njohje të reja për Kosovën. Tri njohjet, që pritet të vijnë deri në fund të këtij viti, i bëri të ditura Ministria e Punëve të Jashtme me anë të një komunikate.

Në komunikatë thuhet se ministri Hoxhaj zhvilloi 76 takime me zyrtarë të shteteve të ndryshme gjatë punimeve të asamblesë së OKB-së, gjysma të cilave me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur vendin.

“Mund t’iu them se, deri në fund të këtij viti do të jenë tri vende që do ta njohin Pavarësinë e Kosovës. Disa nga këto vende do të kenë peshë të veçantë me njohjet që do t’i shpallim javëve apo muajve në vijim”, citohet të ketë thënë Hoxhaj në komunikatë.

Njohja e fundit, Kosovës i erdhi nga shteti i Amerikës Latine, Surinami, më 22 korrik. Komunikata njofton se Hoxhaj i ka shfrytëzuar punimet e Asamblesë së OKB-së edhe për të forcuar marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur tashmë pavarësinë.

“Është bërë nënshkrimi i marrëveshjeve për marrëdhënie diplomatike me Gambian, Malavinë dhe me Bregun e Fildishtë. Ndërkohë kemi arritur të sigurojmë mbështetje nga Kolumbia, Omani, Jemeni, Samoa dhe Toga, për të nënshkruar pakte të marrëdhënieve diplomatike gjatë dy muajve të ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Përveç kërkimit për njohje të reja dhe forcimit të marrëdhënieve me shtetet që e kanë njohur Kosovën, komunikata e MPJ-së bën me dije se Hoxhaj është angazhuar edhe për sigurimin e përkrahjes së shteteve të ndryshme për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Top Channel