Arrestimi i kryepolicit, Tahiri: Reciprocitet, nëse Serbia vijon me arrestimet

30/09/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri ka thënë se kanë kërkuar nga pala serbe, gjatë negociatave të fundit që janë zhvilluar, lirimin e drejtorit të Policisë Rajonale, Nehat Thaçi, që është duke u mbajtur nga pala serbe.

Tahiri ka thënë se i ka kërkuar edhe Bashkimit Europian, që Serbia të sillet karshi marrëveshjeve që janë nënshkruar mes Kosovës e Serbisë për lëvizjen e lirë.

“Unë, së pari i kam shprehur pakënaqësitë te BE-ja dhe kam kërkuar që ata të angazhohen për lirimin e zotit Thaçi, drejtorit të policisë rajonale, dhe kam të njëjtën gjë që ka kërkuar BE-ja nga ne, kur ndodhin raste ndaj palës serbe, të angazhohen për këtë çështje. Po ashtu, sot e kam ngritur këtë edhe në takimin trepalësh dhe kam kërkuar që të ndërpriten arrestimet dhe këto forma destruktive të Serbisë. Iiu kam thënë hapur se ata, në vend që të pranojnë hapur për gjenocidin që kanë kryer në Kosovë, edhe më shumë po e përkeqësojnë situatën. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë”, ka thënë Tahiri për “Indeksonline”.

Ajo ka thënë se pala serbe nuk ka premtuar lirimin e Thaçit, pa i shqyrtuar çështjet juridike.

“Pala serbe nuk dha ndonjë premtim, përveçse tha se do të angazhohen për të parë sesi është situata, meqenëse ata kanë qenë këtu, ndërsa BE-ja premtoi angazhimin që çështja të zgjidhet sa më shpejt. Në fakt ata mbështeteshin te çështjet e drejtësisë dhe thanë se, pa e shqyrtuar rastin, flas për palën serbe, nuk mund t’i japim përgjigje”, tha më tej Tahiri.

Tahiri ka paralajmëruar se, nëse pala serbe vazhdon në këtë mënyrë, edhe pala kosovare do të aplikojë reciprocitetin.

“U kam thënë se, nëse Serbia do të vazhdojë kështu, edhe autoritetet tona respektive të drejtësisë do të ndërmarrin reciprocitet, për shkak se ne në frymën e dialogut dhe përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet kemi qenë të kujdesshëm, pra edhe ne duhet të paktën të përgjigjemi me reciprocitet”, ka thënë Tahiri.

Top Channel