Turqi, mbyllen të tjera televizione e radio: Bëjnë propagandë terroriste

30/09/2016 00:00

Saga e censurës në Turqi, pas grushtit të shtetit, vazhdon. Qeveria e Ankarasë ka nxjerrë urdhrin për të mbyllur 20 televizone dhe stacione radiosh, me pretekstin se ata bëjnë propagandë terroriste.

Shumica e stacioneve televizive të censuruara janë në pronësi të kurdëve apo minoriteteve të tjera. Koordinatori i televizionit “IMC” shprehu zemërimin e tij dhe kolegëve të tjerë të medias.

“Kuptojmë se tentativa për grusht shteti ka krijuar një tjetër grusht shteti, të udhëhequr këtë herë nga Erdogan. Si shumë sisteme të tjera autoritare, targeti i pare i tij janë grupet demokratike. Por përpara se të ndërmarrin një hap të tillë, ata duan të mbysin zërin e lirë të medias, që praktikisht është zëri i shoqërisë demokratike”, tha ai.

Por Erdogan ka vazhduar me axhendën e tij, duke dekoruar princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Nayef. Sipas presidentit, kontributi i tij në rajon është shumë i madh, kryesisht në çështjen e sigurisë.

Top Channel