Rusia hidhet në sulm: SHBA-të po mbështesin grupet xhihadiste

30/09/2016 00:00

Nga palë e akuzuar në palë akuzuese. Ministri i Jashtëm rus i ka thënë BBC-së se Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur të ofrojnë mbështetje ndaj një grupi xhihadist në përpjekjet për të rrëzuar presidentin sirian Bashar al-Assad.

Sergei Lavrov tha se SHBA-të kanë shkelur premtimin për të ndarë grupin e fuqishëm të Jabhat Fateh al-Sham, dikur i njohur si Fronti al-Nusra, si dhe grupe të tjera ekstremiste nga rebelët e moderuar sirianë. Sipas tij, Jabhat Fateh al-Sham është e lidhur me “Al-Qaeda”-n.

Mark Toner u ka thënë gazetarëve se SHBA-të nuk kanë shënjestruar al-Nusrën prej muajsh, sepse ata janë “përzierë” me grupe të tjera dhe me civilët. Ndërsa akuzoi rusët se kanë detyruar elementët e moderuar brenda opozitës siriane të bien në duart e ekstremistëve, për shkak të sulmeve të tyre ajrore.

Lavrov ka folur për BBC-në në përvjetorin e parë të nisjes së fushatë së sulmeve ajrore mbi Siri. “SHBA-të u angazhuan solemnisht se do të kishin si prioritet dhe detyrim ndarjen e opozitës nga al-Nusra”, tha kryediplomati rus. “Ata, pavarësisht premtimeve dhe angazhimeve të përsëritura, ende nuk kanë mundur, ose nuk duan, që ta bëjnë këtë. Ne kemi më shumë arsye të besojmë se, që prej fillimit të fushatës së tyre, plani ishte që të ndahej al-Nusra dhe ta shfrytëzonim atë në një plan B, apo fazën e dytë, kur do të vinte momenti për ndryshimin e regjimit”.

Një marrëveshje e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kishte për qëllim që të vijonte me sulme ajrore të përbashkëta mes amerikanëve e rusëve ndaj grupit të të ashtuquajturit Shtet Islamik, por edhe ndaj Jabhat Fateh al-Sham. Por, gjithnjë e më shumë rebelë nga grupet e moderuara, që SHBA-të i mbështesin, kanë formuar aleanca strategjike me degën e fuqishme të al-Nusras dhe tashmë luftojnë së bashku.

Lavrov u shpreh se “marrëveshja ruso-amerikane duhet të hyjë në fuqi. E për këtë, e vetmja gjë që duhet të jetë e domosdoshme, është ndarja e opozitës nga al-Nusra. Ata nuk duhet të jenë të mbështetur nga SHBA-të, e këtë e them jo në letër por në jetën reale, e më pas ne do të këmbëngulim për ndaljen e armiqësive”.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se 400 civilë, përfshi këtu shumë fëmijë, janë vrarë në Aleppon e rrethuar gjatë javës së kaluar, si pasojë e bombardimeve nga forcat ruse dhe ato qeveritare siriane. Lavrov këmbënguli se Rusia po i mbështet forcat e presidentit Assad vetëm në luftën kundër “terroristëve”.

Kryediplomati rus akuzoi më tej Perëndimin se po qëndron i heshtur në lidhje me vuajtjet e civilëve në Aleppo, teksa pret që qyteti të bjerë në duart e rebelëve pasi grupi i al-Nusras të hynte, por kështu do të priteshin rrugët e furnizimeve me ndihma ndaj popullatës civile.

Top Channel