Dy arushët Roki dhe Smoki tashmë do të kenë një shtëpi të re. Paraditen e së premtes ata kaluan orët e fundit në kafazët e improvizuar përkohësisht në Kopshtin Zoologjik, pasi tanimë jeta e këtyre kafshëve do të marre një drejtim të ri.

“Ne kemi një park në Gjermani, rreth dy orë larg Shtutgartit. Është një sipërfaqe prej 10 hektarësh, krijuar për mbrojtjen e arinjve. Në këtë ambient ka ujë, ushqim, por edhe një lumë të vogël aty pranë në mënyrë që arinjtë të jetojnë si arinj të vërtetë. Ky është qëllimi ynë. Shpresojmë që do të kenë një jetë më të mirë se ajo që kanë patur deri më tani.” shprehet Bernd Nonnenmacher i Fondacionit për mbrojtjen e arinjve.

Mungesa e infrastrukturës për krijimin e një habitati të përshtatshëm për kafshët e egra në vendin tonë, çoi edhe ne vendimin për dërgimin e dy arushëve drejt Gjermanisë.

“Kemi patur mikpritjen e Kopshtit Zoologjik të Tiranës që ka krijuar një strehim të përkohshëm për arinjtë, deri në momentin që do të zhvendoseshin në rezervuarin Gjerman. Këtu është bërë sterilizimi, kanë qenë nën kontroll nga veterineri lokal kopshtit Zoologjik. Këtu mungon infrastruktura për të krijuar kushtet sa më natyrale për jetesën e dy kafshëve të egra. Kërkohet që të krijohen kushte sa më të përshtatshme me habitatin e tyre natyral”, u shpreh Suela Dyrmishi, vullnetare “Animal Rescue Albania”.

Në kushte maksimale, Roki dhe Smoki u transportuan drejt Gjermanisë, në banesën e tyre të re.

Top Channel