Kume: Të krijohet “krimi zgjedhor”. Hetim nga SPAK-u

30/09/2016 00:00

Politika nuk ka më kohë për të shkuar në zgjedhjet e 2017-s me një Kod të ri Zgjedhor. Eksperti në fushën e së drejtës dhe ish-kryetar i KQZ-së, Kristaq Kume është kritik për punën e komisionit të kësaj reforme, që sot është në limitet e kohës.

“Komisioni ‘ad hoc’ në Parlamentin e Shqipërisë ka kohë që është formuar, por si edhe komisionet e mëparshme e ka shpërdoruar kohën dhe tani jemi në kufijtë minimalë të mundshëm për të realizuar një produkt, i cili vërtet t’i shërbejë procesit të ardhshëm zgjedhor”, tha Kristaq Kume.

Kritik, Kume është edhe për kërkesat e të dy palëve në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, përdorimin e teknologjisë nga demokratët apo votimin e emigrantëve, kërkesë e socialistëve.

“Në qoftë se do të kërkohet futja e teknologjisë së informacionit, kjo e kthen vëmendjen në një diskurs politik dhe jo në një mundësi reale për t’u zbatuar. Problemet e lakuara në mbledhjen e fundit ishin mundësitë që duhet t’u jepen shqiptarëve që banojnë jashtë territorit të vendit për të votuar, si do të konvertohen votat e emigrantëve. Do të ketë deputetë, të cilët do të jenë vetëm përfaqësues të emigrantëve, e nëse kështu do të duhet ndryshuar Kushtetuta. Apo vota e emigrantëve do të numërohet si vota e të gjithë shqiptarëve të tjerë?”, u shpreh eksperti Kume.

Kristaq Kume ka një sugjerim për atë çfarë duhet trajtuar përpara hartimit të kodit të ri.

“Të fusësh nocionin e ‘korrupsionit zgjedhor’ në Kodin Zgjedhor do të thotë, që të trajtosh më pas figura të tilla si figura krimi që do hetohen nga SPAK-u. E bën shumë më të ngushtë hapësirën për të keqpërdorur çdo mundësi, që do devijojë vullnetin e zgjedhësve. Jo vetëm për të shitur e për të blerë votën, por edhe për të përdorur financa që nuk kanë burime të identifikuara, si paratë e pista”, deklaroi Kume.

A ka gjasa Kuvendi, që brenda dy muajve të hartojë një Kod të ri Zgjedhor?

“Pak gjëra do të bëhen. Edhe ato që do të bëhen, do të jenë më shumë në funksion të interesit të dy partive të mëdha. Përshtypja është se ky komision do të ketë sjellje bipartizane”. Intervistën për Top Channel, ish-kryetari i KQZ-së e mbylli me shpresën që kjo përpjekje e politikës të mos jetë dështimi i radhës.

Top Channel