TAP pranon kërkesat e Shqipërisë. Ian Bradshaw: Përfitime shtesë si Greqia

30/09/2016 00:00

Qeveria shqiptare po arrin drejt finalizimit të ndryshimit të kontratës me gazsjellësin Transadriatik (TAP). Në ditën kur projekti arriti në fazën e shtrimit të tubave, drejtori menaxherial i të gjithë projektit foli për Top Channel dhe konfirmoi se, ndryshimi i kontratës me qeverinë shqiptare po shkon drejt përfundimit.

“Ajo çfarë kishim firmosur më parë nuk ishte e mjaftueshme. Na duhej një mirëkuptim lokal dhe kombëtar për ndërhyrjet që po bëjmë. Qeveria, në këtë fazë ka luajtur një rol thelbësor, ku përcolli te ne kërkesat e çdo zone, ku ne do të ndërhyjmë”, tha Ian Bradshaw, drejtor menaxherial i “TAP”-it.

Kontrata e “TAP” me Shqipërinë është shumë e ndryshme nga ajo me Greqinë, vendin ku gazsjellësi kalon para se të hyjë në territorin tonë. Për muaj të tërë është negociuar për të përafruar përfitimet.

“Ne kishim një detyrim, që kushtet e kontratës, përfitimet e popullit shqiptar të ishin njësoj si ato të grekëve. Tani jemi në përfundim të negociatave dhe mund të them se të dyja palët po bashkëpunojnë ngushtë. Unë pres që brenda ditëve apo javëve të ardhshme, çdo gjë të mbyllet”, tha më tej Ian Bradshaw.

Ndërkohë, brenda këtij viti do të publikohet masterplani i gazifikimit, pas të cilit pritet të zhvillohet një studim fizibiliteti, që do të vendosë se në cilat zona mund të krijohet një sistem i shpërndarjes së gazit për qytetarët.

Top Channel