“Shpresat” ngjiten në botëror, De Biasi nis freskimin pas suksesit në Europian

30/09/2016 00:00

Dy ndeshjet e radhës së përfaqësueses shqiptare, Eliminatore të Botërorit 2018-të, ndaj Lihteshtejnit dhe Spanjës, pritet të kenë surpriza sa i përket lojtarëve të grumbulluar.

De Biasi pas më shumë se 200 lojtarëve të vëzhguar përzgjedhur dhe grumbulluar në dy eliminatoret e shkuara që ka drejtuar kuqezinjtë, aktualisht ka një rreze më të ngushtë veprimi dhe sytë e trajnerit italian janë kthyer nga ekipet zinxhirë të përfaqësueses, që për të thënë të vërtetën janë ndër brezat më të suksesshëm të viteve të fundit.

Krijimi i përfaqësueses së Kosovës dhe kërcënimi për largimin drejt skuadrës tjetër shqiptare, sikurse ndodhi me Rashicën, Vojvodën apo Rrahmanin, nga kombëtarja U21, ka detyruar De Biasin të përshpejtojë grumbullimet e të rinjve, të paktën për të mos u rrezikuar më për largime të mëtejshme.

Në listën që pritet të zbardh më 1 tetor, trajneri i përfaqësueses do të ketë 3 lojtarë të përfaqësueses U21, ata janë dy sulmuesit Rey Manaj, Eros Grezda dhe mesfushori i Skënderbeut Liridon Latifi.

Nëse i pari, ish-sulmuesi i Interi dhe aktualisht i Peskarës është grumbulluar disa herë, për herë të parë janë dy lojtarët me origjinë nga Kosova, Eros Grezda, sulmuesi i Lokomotivës në Kroaci dhe Liridon Latifi, mesfushori i Skënderbeut.

Emra që ndoshta në sulm do të kenë më tepër hapësira me mungesën e Gashit, apo gjendjes jo optimale të Sadikut, ndërkohë në mesfushë, Latifi rrezikon Emir Lenjanin, i cili është në pozicionin e preferuar të mesfushorit të Skënderbeut.

Por nëse grumbullimi i tyre është një lajm i mirë për përfaqësuesen A, ajo Shpresa mbetet e boshatisur, me largimin e 6 lojtarëve të mësipërm dhe kjo ndodh në momentin më të mirë të saj në eliminatoret e Europianit 2017-të.

Në rast se kualifikimi nuk është më vetëm në dorën e tyre kur ka mbetur edhe një ndeshje, sigurimi i kalimit një vazo më sipër me një fitore ndaj Izraelit më 10 tetor është një synim real.

Gjithsesi, për të mos e rrezikuar deri në fund De Biasi i ka siguruar Jupit portën me Tomas Strakoshën, një tjetër kandidat për përfaqësuesen A, por të paktën për momentin, ai nuk rrezikon të shkojë askund.

Ndërkohë, sigurimi i Grezdës dhe Latifit, për të ardhmen kuqezi, konsiderohet një objektiv më i rëndësishëm se ai i Shpresave, që janë një ndër brezat më të mirë të viteve të fundit.

Top Channel