Erdogan konteston Traktatin e Lozanës për ishujt në Egje, irritohet Athina zyrtare

30/09/2016 00:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shkaktoi pakënaqësi dhe irritim në Athinë gjatë së enjtes mbrëma, kur u shpreh se Ankaraja “i kishte dhënë” ishujt e Egjeut Greqisë mbi bazën e Traktatit të Lozanës të vitit 1923, pakti që përcaktoi kufijtë e Turqisë moderne, pas shembjes së Perandorisë Osmane.

Në një fjalim përpara zyrtarëve rajonalë në Ankara, Erdogan u duk se shfaqi keqardhjen dhe pendesën për vendimin mbi kufirin të detyruar nga pakti në fjalë.

“Disa u përpoqën të na mashtrojnë, duke e prezantuar Lozanën si një fitore”, tha ai. “Në Lozanë, ne kemi dhënë ishujt dhe ju mund të na shani për këtë”, tha ai, duke iu referuar ishujve grekë të pozicionuara në detin Egje, shumë pranë bregdetit turk.

Ndërkohë, duke reaguar ndaj komenteve të Erdoganit, një burim i Ministrisë së Jashtme greke përsëriti se “kushdo duhet të respektojë Traktatin e Lozanës”, duke theksuar gjithashtu se “ai është realiteti në një botë të civilizuar, të cilën askush, përfshi Ankaranë, nuk mund ta injorojë”.

Burimi në fjalë tha më tej se komentet e udhëheqësit turk mund të jenë bërë sa për konsum të brendshëm politik.

Por, ndërsa theksoi haptazi pakënaqësinë e tij ndaj Traktatit të Lozanës, Erdogan u shpreh gjatë fjalimit se ata që tentuan një grusht shteti kundër Turqisë në korrik do të kishin përkeqësuar edhe më tepër marrëdhëniet e shtetit me të tjerët.

“Jemi ende duke hasur vështirësi në lidhje me përcaktimin e ndarjes kontinentale, por edhe atë ajrore e tokësore. Shkak për këtë kanë qenë pikërisht ata që janë ulur në tryezën e atij traktati. Ata që u ulën atëherë nuk vendosën drejtësi për ne, ndërsa ne sot thjesht po korrim problemet e shkaktuara prej tyre”, tha Erdogan.

Komentet e presidentit turk erdhin në një kohë kur qarkullojnë raportime se Ankaraja po nxit tërheqjen e patrullimeve të NATO-s në Egje, të cilat kanë kontribuuar në ndaljen e fluksit të emigrantëve të paligjshëm.

Top Channel