Rama: Pas qytetit, do ndërtojmë qendrat e fshatrave

30/09/2016 00:00

Në kuadër të programit të bujqësisë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me fermerët e fshatit Strumë në Roskovec, nga ku u shpreh se qeveria ka arritur financimin për 60 projekte.

Kryeministri tha se bashkinë do të asistojnë në realizimin e këtyre projekteve, ndërsa fermerëve, tha ai do të mundësohen kredi me interesa të ultë nga bankat madje edhe me interes zero.

“Bashkitë do të bëjnë asistencë për të realizuar këto projekte, bashkë me qeverinë do t’i çojnë këto aplikime drejt bankave dhe sipas skemave mund të merren kredi me 0 interes ose edhe të buta. Është e gjitha një risi, e cila varet nga qeveria, por edhe nga ju”, tha Kryeministri.

Ai theksoi se njerëzit që e kanë marrë tokën me 7501 duhet të bëhen pronar.

Kryeministri përmendi gjithashtu se qeveria që ai drejton deri tani ka investuar në rreth 500 projekte komunitare, ndërsa tha se tashmë nga ndërtimi i qendrave të qyteteve do të ketë projekte për ndërtimin e qendrave të fshatrave.

“Ne kemi investuar shumë, rreth 500 projekte komunitare, qendrat e qyteteve e të tjera. Na thonë se pse i bëjmë këto, por këto i thonë ata që jetojnë në bulevardin e Tiranës dhe harrojnë se këto bashki kanë nevojë për këto qendra. Sot bashkitë kanë zonën e vet urbane dhe rurale dhe rritja e kapaciteteve të qendrës, jo thjesht nga pikëpamja e hapësirës, por edhe aktiviteteve të tjera, kjo rrit cilësinë e jetës. Por kjo do të shtrihet edhe në çdo komunë, ku nuk do të ndërtohen vetëm rrugët, por edhe çerdhe e shkolla. Por të gjitha këto duan kohë”, tha Kryeministri.

Top Channel