Ibrahimovic i rekordeve, ka shënuar me 7 klube të ndryshme

30/09/2016 00:00

Zlatan Ibrahimovic është një prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian. Nuk janë vetëm aftësitë teknike që e vërtetojnë këtë, por edhe statistikat janë në anën e sulmuesit tashmë 35 vjeçar.

Ibrahimvic u bë shpëtimtari i Manchester United dhe Jose Mourinhos duke shënuar golin e fitores ndaj Zoryas. Një gol ky që e vendos atë në histori pasi skuadra e Djajve të Kuq është e 7 me të cilën Ibrahimovic arrin të shënojë në arenën europiane.

Në kurrikulumin e tij Ibrahimoivic ka 129 ndeshje në kompeticionet e Kontinentit të Vjetër me 52 gola të shënuar. Duke nisur që nga viti 2001, suedezi ka luajtur me 7 klube të ndryshme. Rrugëtimi i tij nisi me Ajaksin me të cilin shënoi 9 gola në 27 ndeshje evropiane. Pas 3 vitesh, në 2004 veshi fanelën e Juventusit duke shënuar 3 gola në 19 ndeshje të gjitha në Ligën e Kampioneve, një trofe që i mungon suedezit edhe pse e kërkoi ta fitojë me ngulm.

U transferua te Inter e më pas te Barcelona duke iu afruar ndjeshëm suksesit të madh. Te Milani dhe PSG u bë një futbollist i gjithanshëm në gjendje që të mbajë një repart i vetëm. 29 gola në 49 ndeshje të Ligës së kampioneve ishin statistikat e tij me këto 2 klube.

Suedezi kërkon të vazhdojë të habisë, të shënojë e sigurisht edhe të fitoje me Manchester United. Megjithatë Ibrahimovic do të duhet që ta ndajë rekordin e tij e shënimit të golave me 7 fanela të ndryshme me dy lojtarë të tjerë që nuk ishin kaq vendimtarë sa ai; Adrian Mutu e John Carew.

Top Channel