3 ton drogë në Mat, policia: Gjetëm edhe një kamionçinë, po verifikohet

30/09/2016 00:00

Në vijim të operacionit anti-kanabis në rrotull të Matit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një kamionçinë që dyshohet të jetë përdorur për transportimin e hashashit.

Kamionçina me targa TR 1344 u gjet e braktisur disa qindra metra larg hangarit të hashashit dhe rezulton në pronësi të firmës AREKLA SHPK. Policia ka nisur verifikimet mbi mjetin ndërsa operacioni për asgjësimin e sasisë rekord të hashashit, ka vijuar edhe gjatë paradites së të premtes.

Kamera e Top-Channel ishte pranë parcelave ku pirgje me bimë kanabisi vijonin të asgjësoheshin me anë të djegjes në vend.

Operacioni i policisë në këtë zonë të thellë po zhvillohet prej 3 ditësh ku në banesën e Shpëtim Likës policia gjeti në një hangar të përshtatur edhe sasinë prej 3 ton të bimës narkotike gjysëm të tharë e cila ishte gati për tu paketuar.

45 vjeçari është shpallur në kërkim nga policia e cila po heton edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet..Pranë parcelave ku ishin kultivuar 13 mijë rrënjë, autorët kishin ngritur edhe një rezervuar që shërbente për vaditjen e bimës narkotike ndërsa burim si burim kryesor i ujit përdorej përroi që kalonte aty pranë.

Të gjitha veprimet hetimore në terren po kryen në bashkëpunim me prokurorinë ndërsa policia mohon që të ketë punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë në Vlorë policia sekuestroi 200 kg hashash, 2 automatikë dhe 300 fishekë, në një operacion ku u arrestuan edhe dy persona. Droga u gjet në një banesë të pabanuar në fshatin Mallkeq, ndërsa dyshohet se dy të arrestuarit, Coban Tozaj dhe Mateos Bregu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do ta trafikonin atë drejt Italisë.

Top Channel