Skema e ndihmës ekonomike, Klosi: Menaxhimi me një sistem të ri dixhital

30/09/2016 00:00

Skema e re ndihmës ekonomike do të menaxhohet përmes një sistemi dixhital që përmes 52 indikatorëve vlerëson nevojën e çdo aplikuesi. Ministri i Mirëqenies Sociale, Bledi Klosi shpjegoi dy shtyllat kryesore.

“Rritja e masës se përfitimit financiar dhe puna për daljen nga varfëria. Në skemën e re të ndihmës ekonomike, hiqen kriteret përjashtuese dhe diskriminuese duke lehtësuar procesin, thjeshtëzuar dokumentacionin.  Rritet masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje nga 3500 lekë në 5600 lekë në muaj” u shpreh ministri Klosi.

Do të jenë bashkitë që do të administrojnë skemën.

“Sistemi do të na ndihmojë, unë jam e bindur për këtë. Sistemi do të bëjë të mundur që ne të kemi një bazë të të dhënave, por nga ana tjetër edhe një vlerësim të detyrueshëm sipas kritereve të mirëpërcaktuara ligjore për familjet”, u shpreh kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

Për ministrin Klosi vlerësimi për dhënien e ndihmës ka të bëjë me nevojën reale e një familje për të luftuar varfërinë.

“Nuk do përjashtohet asnjë nga skema e ndihmës që ka televizor, lavatriçe, makinë apo qoftë edhe nëse merr një pagë minimale. Të gjithë ata, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten apo familjet nuk përjashtohen nga ndihma ekonomike.

Skema e re e ndihmës ekonomike është bërë në Bashkëpunim me Bankën Botërore. Përfaqësuesja e saj në Tiranë tha se është mjaft e rëndësishme jo vetëm për të luftuar varfërinë, por edhe për riintegrimin social.

Top Channel