Borxhi i bizneseve 1 mld euro, pjesa më e madhe ndaj Tatimeve

30/09/2016 00:00

Borxhi tatimor i krijuar në vite, që bizneset kanë ndaj shtetit ka kapur shifrën 137 miliardë lekë, ose  1 miliardë euro. Këto janë detyrime të njohura, por të papaguara që bizneset kanë në tatime dhe dogana.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 44 miliardë lekë janë borxhe të krijuara deri në 31 dhjetor të vitit 2011, ndërsa nga 1 janari i vitit 2012 e deri në fund të vitit të kaluar detyrimet e papaguara të biznesit ndaj shtetit, janë rritur me 93 miliardë lekë. 

Një pjesë e madhe e borxhit tatimor i përket bizneseve tashmë të mbyllura, ose falimentuara, çka e bën atë të pamundur të arkëtohet më në arkën e shtetit. Një pjesë tjetër janë detyrime të disa kompanive të mëdha në vështirësi financiare, veçanërisht në fushën energjetike apo atë të industrisë.

Borxhi i bizneseve ndaj shtetit do të ishte edhe më i madh, por në vitin 2011 qeveria e Partisë Demokratike miratoi një amnisti fiskale, e cila fali 40 miliardë lekë detyrime të biznesit. Së fundmi, Ministria e Financave ka paralajmëruar një nismë të ngjashme, por e cila parashikon një skemë të përshkallëzuar faljeje.

Sipas saj, Qeveria do të falë plotësisht borxhet e krijuara para 1 janarit të vitit 2012 dhe 30 përqind të detyrimit plus kamatëvonesat për borxhet e lindura pas kësaj date. 

Por ministri i Financave arben ahmetaj ka deklaruar se ai nuk do të sugjerojë asnjë draft në Qeveri pa patur më parë qartësi të plotë me FMN-në, si institucioni me ekspertizën më të mirë në këtë fushë.

Sipas Ahmetaj, vetëm pas rekomandimeve të Fondit, Ministria e Financave do të avancojë më tej projektin për faljen, i cili ka për qëllim t’i jap një shtysë të re ekonomisë duke çliruar bilancet e biznesit nga detyrimet e vjetra për të përmirësuar më tej klimën e biznesit në vend.

Top Channel