Vihet paqja, ultrasit e PSG rikthehen në stadium

30/09/2016 00:00

“Parku i Princave” është gati që të presë grupin e tifozerisë Ultras të PSG, i quajtur ndryshe “Collectif ultras Paris” ky grup pritet të jetë në shkallët e stadiumit në sfidën kundër Bordosë , një prezencë që këtij impianti i mungon prej 5 vitesh.

Pronarët e PSG vendosën që t’i japin një tjetër shans grupimit ‘Collectif’ me këtë të fundit që do të tentojnë të ndihmojë kampionët e Francës për të rimarrë veten pas një fillimi të vështirë të sezonit.

Në javët e fundit vetë lojtarët e PSG kishin shprehur dëshirën për rikthimin në stadium të tifozerisë së organizuar duke bërë që paqja të vendoset zyrtarisht, pasi edhe prefektura u ka ndezur dritën jeshile pjesëtarëve të grupimit ‘Collectif’.

Në vitin 2010, përpara se manjatët nga Katari të merrnin pronësinë e klubit parizien, një person mbeti i vdekur pas përleshjeve mes 2 fraksioneve të tifozerisë më të dhunshme të Parisit.

Një ngjarje që detyroi drejtuesit e asaj kohe të PSG që të riorganizonin sistemin e shitjes së biletave si dhe të përjashtonin grupet Ultras nga stadiumi. Por në vitet e fundit tifozët u përpoqën që të japin një imazh të ri duke vendosur rregulla të qarta që parashikojnë përjashtimin në mënyrë kategorike personat e dhunshëm dhe ata me sjellje raciste.

Ndërkaq Prefektura bëri të ditur se sjellja e tifozëve Ultras do të monitorohet dhe në rast se do të ketë incidente, ata nuk do të tolerohen më.

Top Channel