Nisja e punimeve të TAP, Basha: Investim i huaj i nisur nga PD-ja

30/09/2016 14:40

“Pasi ka dështuar të sjellë edhe një investitor të vetëm në Shqipëri dhe ka përzënë shumë prej atyre që ishin, me taksat, me korrupsionin dhe lidhjet me krimin, Edi Rama ka nisur të shëtisë çdo javë sa tek TAP-i sa tek Hidrocentrali i Devollit, që njerëzve t’u duken shumë. Por, ato janë të njëjtat, të vetmet investime të huaja, të nisura e të kontraktuara nga qeveria e Partisë Demokratike”.

Ky ka qenë reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas nisjes së punimeve për gazsjellësin TAP.

“Mbron dhunuesin e investitorit që braktisi projektin 450 milionë dollarësh me 1200 vende pune, sjell plehrat e botës në Shqipëri, mbjell dhe fermenton drogë anekënd vendit, pastaj vjen vërdalle si buratin çdo javë në rrethinat e TAP-it e Hidrocentralit të Devollit, duke penguar dhe punën e tyre me shfaqjet e shpifura që nuk i honeps dot askush. Nuk ka investime me Edi Ramën. Me Edi Ramën ka krim, drogë dhe plehra. Duhet të kthejmë investimet në Shqipëri, por më parë duhet të pastrojmë Shqipërinë nga krimi, droga dhe plehrat. Duhet ta pastrojmë Shqipërinë nga Edi Rama”, shtoi Basha në reagimin e tij.

Top Channel