Rosetta e mbyll me “harakiri”

30/09/2016 00:00

Misioni 12-vjeçar i Rosetta-s, sondës së Agjencisë Hapësinore Europian (ESA) për studimin e kometave, përfundoi me një “harakiri” mbi sipërfaqjen e një komete të largët të sistemit tonë diellor.

Ky ishte akti final i një projekti epik që “gjuajti” kometat në orbitën e tyre përreth diellit, uli një sondë simotër në sipërfaqen e njërës prej tyre dhe mblodhi informacione të rëndësishme mbi përbërjen kimike të këtyre trupave qiellorë, të vështirë për t’u studiuar nga njeriu.

“Misioni u përmbush!”, ky ishte mesazhi i dërguar në disa gjuhë të botës nga ESA në përfundim të rrugëtimit të sondës së saj.

Vendimi për uljen-përplasje në sipërfaqen e kometës “67P/Churyamov-Gerasimenko” u mor nga ESA si mënyra më e mirë për të përmbyllur këtë kapitull.

“Rosetta kishte shkuar shumë larg dhe panelet e saj diellore mezi thithnin energjinë e nevojshme për të mbajtur në punë të gjithë mekanizmin”, thotë Laurence O’Rurke, një prej inxhinierëve të projektit.

Vetë sonda nuk ishte projektuar për t’u ulur në një kometë, por ekipi i ESA-s mendoi se ulja “vetëvrasëse” e saj mund të siguronte disa imazhe ekstra para përplasjes, sesa të pushonte së funksionuari dhe të endej pa drejtim në hapësirë. Dhe kështu ndodhi, para impaktit ESA arriti të siguronte disa imazhe nga sipërfaqja e kometës.

Por nuk janë këto imazhe puna më e madhe e Rosetta-s. Ajo do të mbahet mend si sonda  që dërgoi në sipërfaqen e një komete sondën tjetër, atë Philae. E para dhe e dyta orbituan përreth diellit për 10 vite e 8 muaj, për t’u ndarë më 12 nëntor të 2014-ës, kur Rosetta lëshon Philae në zonën e quajtur Abydos të kometës “67P/Churyamov-Gerasimenko”.

Nëse gjërat do të shkonin ashtu siç i kishte parashikuar agjencia europiane e hapësirës, sot Philae do të ishte duke dërguar të dhëna nga sipërfaqja e kometës në tokë. Por jo! Fati e deshi që sonda të ulej në një pozicion që nuk rrihet nga dielli, duke nxjerrë praktikisht jashtë funksionit panelet e saj diellore dhe duke mbetur pa burim energjie.

Ajo funksionoi dhe dërgoi sinjale në tokë deri kur shkencëtarët e ESA-s vendosën ta fiknin për të ruajtur pak energji zgjimi nëse gjatë orbitimit në shpinën e kometës rrihet nga rrezet diellore. Kjo deri më tani nuk ka ndodhur dhe kontakti i fundit i saj ka qenë me 9 korrik të 2015 në orën 18:07 minuta.

Por 9 muaj aktivitet në sipërfaqjen e kometës ishin të mjaftueshme që Philae të dërgonte disa të dhëna. Mes këtyre të dhënave, studiuesit e ESA-s kanë zbuluar 16 përbërës organikë, katër prej të cilëve nuk besohej më parë se mund të gjendeshin në sipërfaqjen e një komete.

Janë pikërisht këta katër elementë që formojnë themelet e jetës dhe ky zbulim përforcon teorinë se jeta në Tokë “u mboll” nga një kometë.

“Prania e molekulave të përbëra në sipërfaqjen e kometës nuk ishte vënë re më parë, madje as që besohej se ekzistonin në këtë formë në kometë. Kjo i bën kometat një burim molekulash të përbëra dhe shton mundësinë që jeta në Tokë mund të ketë ardhur prej tyre”, thotë astronomi britanik, Dan Brown.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel