“Baristi i vitit”, një grua

30/08/2016 00:00

Baristi më i mirë i vitit është në fakt një grua. Francezja Jennifer Le Nechet bëhet e para femër, që rrëmben këtë titull, duke shpalosur përpara jurisë aftësitë e saj me shishet, gotat dhe një gamë të gjerë koktejesh vibruese.

Rreth 10 mijë baristë nga e gjithë bota u bënë pjesë e konkurrimit të sivjetshëm. 56 prej tyre u përzgjodhen të përfaqësonin vendin nga vinin në raundet finale të Miamit, e në fund mbeti vetëm një grup elite prej 6 personash.

Finalistëve iu kërkua mes të tjerash të improvizonin një bar të përkohshëm brenda 24 orësh. Secila nga sfidat e vendosura konkurrentëve nxirrte në pah nga një zotësi të caktuar të armaturës së baristëve: teknikën, personalitetin, shpejtësinë, krijueshmërinë, njohjen e pijeve alkoolike dhe aftësinë për të performuar nën presion. Në këto kushte, fitorja vlerësohet edhe më shumë.

“Nuk e besoj dot, është një çmenduri. Jam munduar vërtet shumë për këtë garë dhe tani bëhem femra e parë që arrin ta fitojë. Është e jashtëzakonshme”, tha Jennifer Le Nechet, bariste.

Organizuesi i konkursit, gjiganti i pijeve alkoolike “Diageo” kishte marrë me qira një hotel të tërë me pamje nga oqeqani në South Beach të Miamit për t’i bërë pjesëmarrësit të ndiheshin sa më mirë.

Top Channel