Wenger ndryshoi ‘topçinjtë’, 20 vite tek Arsenali

30/09/2016 00:00

Arsene Wenger e ka gdhendur fort emrin e tij në futbollin anglez e sidomos te Arsenali. Trajneri francez ka hyrë në historinë e Premier League si më jetëgjati në një skuadër duke qenë se është në stolin e “Topçinjve” të Londrës prej 20 vitesh.

Wenger mbërriti te Arsenali në 22 shtatorin e vitit 1996, vetëm pak muaj para zgjedhjes së Tony Blair në krye të qeverisë britanike. Për 10 vjet këto dy personazhe patën jetë paralele  sigurisht duke zgjidhur probleme të ndryshme.
Ndërsa Blair duhet të bënte revolucion në politikën e vendit, Wenger e kishte këtë detyrë për futbollin.

Dhe tekniku francez ia doli që brenda 10 viteve të para ta shndërronte Arsenalin në skuadrën më spektakolare në Evropë ku emblemat e kësaj skuadra u bënë Vieira dhe Henry.

në periudhën 1996-2006, Arsenali arriti të fitojë 3 tituj kampionë të Anglisë me Venger që u bë i pari trajner jo britanik që e arriti një sukses të tillë. Gjithashtu Topcinjtë arritën të fitojnë edhe 4 trofe të FA Cup, 4 Community Shield. Në sezonin 2003-2004, Arsenali arriti të fitojë titullin pa pësuar asnjë humbje, ndërsa në 2006 londinezët arritën deri në finalen e Ligës së Kampioneve të humbur kundrejt Barcelonës.

Mbërritja e manjatëve rusë e sheikëve arabë e reduktoi dimensionin e Arsenalit të Wenger. Që nga 2006 e deri tani, Arsenali ka fituar vetëm 2 FA Cup dhe 2 Community Shield, që do të thotë se londinezët kanë bërë shumë hapa prapa në krahasim me dekadën e parë të drejtimit të Wenger.

Megjithatë, në kontinentin e Vjetër, Arsenali ka arritur të ruajë një profil të lartë dhe këtë e tregon fakti që “Topcinjtë” kanë siguruar 18 kualifikime radhazi në Ligën e kampioneve, duke u renditur të dytët në këtë aspekt pas Manchester United të Sir Alex Ferguson.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel