Hapja e negociatave, Gjosha: KE të mbajë premtimin

30/09/2016 00:00

Në përfundim të vizitës në Bruksel, vetëm pak ditë përpara publikimit të progres-raportit për Shqipërinë, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka siguruar autoritetet se Shqipëria do të bëjë gjithçka që reforma në drejtësi të zbatohet, duke cituar dhe një kërkesë të bërë nga Komisioneri Johanes Hahn pak javë më parë.

“Në fakt në Shqipëri, pavarësisht asaj që pritet edhe për arrestimet e nivelit të lartë apo emra të ndryshëm, kjo në fakt nuk ka të bëjë me punën tonë të përditshme. Ajo çka ne duhet të sigurojmë është që reforma në drejtësi duhet të fillojë të implementohet me sukses dhe duhet të fillojë të zbatohet  nga të gjithë ne. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ne te jemi të vetëdijshëm që duhet të zbatojmë ligjin dhe se ligji është mbi këdo”, tha ajo.
 
Gjosha kërkoi nga Komisioni Europian të mbajë premtimin e dhënë.

“Kalimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi ka qenë një parakusht për Shqipërinë në mënyrë që të merrej një rekomandim pozitiv. Gjithashtu edhe ligji i vettingut, i cili tashmë është i miratuar dhe ne shpresojmë që do të fillojmë shumë shpejt zbatimin e tij.  Në këtë kendvështrim, unë si ministre e Integrimit kam kërkuar që fjala e dhënë nga instancat më të larta të BE, qytetarëve shqiptarë,  se në rast se do të arrihej miratimi i kësaj reforme si dhe miratimi i ligjit të vettingut, Komisioni Europian do t’i japë Shqipërisë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave”, u shpreh ajo.

Top Channel