Nju Xhersi, dëshmitarët tregojnë “fluturimin” e trenit në stacion

30/09/2016 11:30

34-vjeçarja Fabiola Bittar de Kroon ishte duke pritur qetësisht në platformë pasi kishte lënë në çerdhe vajzën e saj 18-muajshe, kur u vra të enjten nga përplasja e trenit të pasagjerëve me blloqet e betonit në stacionin Hoboken të Nju Xhersit.

Njerëzit panë me tmerr sesi udhëtarët u vërtitën në ajër nga forca e goditjes. 62-vjeçarja Linda Albelli ishte në makinën e saj aty pranë, kur pa trenin të afrohej: “Vura re që treni nuk po ngadalësonte, shpejtësia e tij ishte e madhe dhe pastaj erdhi përplasja e tmerrshme. Kishte shumë të plagosur, shumë njerëz të cilëve u nevojitej ndihmë”.
 
Nga incidenti pati më shumë se 100 të plagosur e mjaft pasagjerë u desh të nxirreshin nga ekipet e shpëtimit prej vagonëve të dëmtuar. Shkaku i fatkeqësisë nuk është zbardhur ende.

Jennifer Nelson e “New Jersey Transit” shprehet: “Jemi akoma duke hetuar mbi arsyen e këtij aksidenti. Nuk kam ndërmend të rri këtu e thjesht të hamendësoj”.
 
Dëme të rënda pësuan si treni që kaloi barrierën në fund të shinave, ashtu edhe struktura e stacionit. Stacioni i Hobokenit përdoret nga shumë prej njerëzve që udhëtojnë nga Nju Xhersi drejt Manhatanit e më tej.

Top Channel