Funerali i Shimon Peres, krerët botërorë në Izrael

30/09/2016 11:00

Dhjetëra udhëheqës botërorë janë mbledhur në Izrael për t’i bërë homazhet Shimon Peresit, një prej themelueseve të kombit, i cili u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare. 

Një ceremoni shtetërore u mbajt në nder të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit pranë varrezave kombëtare të Jeruzalemit, ku edhe do të prehet pranë shumë liderëve të tjerë izraelitë. Mes të ftuarve ishin figura të rëndësishme të skenës globale, të tillë si presidenti amerikan Barack Obama, kancelarja Angela Merkel, kreu i Elizesë François Hollande, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, por gjithashtu edhe lideri i autoritetit palestinez Mahmud Abas, i cili do të vizitojë për herë të parë Izraelin që prej vitit 2010.

Jordania dhe Egjipti, 2 shtetet e vetme arabe që kanë nënshkruar marreveshje paqeje me Izraelin kishin dërguar përfaqësues për të marrë pjesë në ceremoni.

Peres kishte lënë plane të detajuara për funeralin e tij. Një operacion i madh sigurie, i cilësuar si i paprecedentë nga shefi i policisë, ka çuar në arrestimin e disa personave në prag të ceremonisë. 8 mijë efektivë janë mobilizuar për të garantuar sigurinë për mijëra pjesëmarrësit në funeral.

Kjo është ngjarja më e madhe e këtij lloji në Izrael, që prej ceremonisë mortore të kryeministrit Yitzhak Rabin, i cili u vra nga një nacionalist hebre në vitin 1995.

Shimon Peres pësoi një goditje ishemike dy javë më parë dhe humbi jetën të mërkurën në një spital të Tel Avivit. Si një negociator për Organizatën e Çlirimit të Palestinës, ai ishte një prej nënshkruesve të marrëveshjeve të Oslos në vitin 1993, për çka u vlerësua edhe me çmimin Nobel për paqen një vit më vonë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel