Top Story, ligji i importit të mbetjeve

29/09/2016 00:00

Kuvendi miratoi ligjin e importit të mbetjeve, që Qeveria thotë se është kërkesa e Bashkimit Europian dhe se industria e riciklimit është zhvilluar aq shumë saqë nuk mund të anashkalohet më.

Kjo lëvizje 360 gradë e maxhorancës, por edhe e opozitës ka shkaktuar një sërë reagimesh. Qeveria duket sikur nuk bind me argumentat e saj, ndërsa opozita është rreshtuar kundër dhe kërkon referendum për të.

Pikërisht kësaj çështjeje iu kushtua Top Story i kësaj të enjte, ku të ftuar të Sokol Ballës ishin analistët Mustafa Nano, Artur Zheji, Skënder Minxhozi, Preç Zogaj, Neritan Sejamini, Arjan Vasjari dhe ambientalisti Sazan Guri.
 
Minxhozi bëri një krahasim mes ligjit aktual dhe armëve kimike siriane, kur vuri në dukje se Qeveria, sipas tij, gaboi në trajtimin e çështjes duke e bërë fakt pa ja shpjeguar më parë publikut.

I pari që mori fjalën ishte analisti Mustafa Nano, që ka kritikuar hapur qeverinë për këtë çështje.

“Ky ligj ka kaluar thuajse në fshehtësi, gjë që më bën mua të dyshoj”, tha ai.

“Mënyra që u aprovua na vë përballë një situate të përsëritur ku pasi hedh hapin përpiqet të shpjegojë arsyet e hedhjes së hapit. Rama duhet të shpjegonte ligjin 6 muaj para se ta kalonte atë. Ligji shpjegohet kur është draft, jo kur ka kaluar. Këtu ka kaluar një akt ligjor dhe sot po shpjegohet. Kjo më ngjan me një tjetër aferë mbetjesh, shumë më të rrezikshme, siç është ajo e armëve kimike siriane”, u shpreh Minxhozi.

Sipas Minxhozit, ligji është thelbësisht shumë më i mirë se ai paraardhës.

“Janë vetëm 4 mbetje që lejohen të importohen dhe janë ato që rreshtohen në listën e gjelbërt të BE. Ligji nuk parashikon depozitim dhe djegie për mbetjet”, deklaroi ai.

Neritan Sejamini ndau një mendim tjetër. Ai tha se ligji i kaluar tani dhe ai i qeverisë Berisha janë thuajse identikë, madje për të janë vetëm dy ndryshime dhe ato janë përkeqësuese.

“Ligjet janë thuajse identikë. Dy ndryshime ka dhe ato janë pothuajse negative. Ligji është identik me atë të 2011. Ishte një ligj për mbetjet, kapitulli që bënte fjalë për importimin e mbetjeve, u shfuqizuan 4 nene të këij kapitulli. Ndryshimet janë thjesht fjalësh, jo thelbësore dhe këto u bënë pas protestës së shoqërisë civile”, deklaroi ai.

Preç Zogaj bëri një analizë më politike të çështjes.

“Edhe pa e lexuar fare ligjin, është e thjeshtë dhe unë e shoh në sensin e korrektesës politike. Një qeveri merr votën me një propozim dhe thotë që do të anuloj ligjin për importin e plehrave dhe merr vota për këtë gjë dhe tani çfarë ndodh me një qeveri që merr votën me një premtim dhe shkel premtimin për të cilin është votuar?!”, deklaroi ai.

Arjan Vasjari doli kundër metodave të kundërshtimit të këtij ligji, pasojat e të cilit, sipas tij, po zmadhohen.

“Pjesë të shoqërisë civile dhe medias përpiqen të injektojnë në shoqëri një makth, që nuk qëndron. Unë kam qenë pro ligjit të PD, kundër qëndrimit të Ramës për ta kundërshtuar si ligj, sot jam pro Ramës dhe kundër qëndrimit të PD. Unë mendoj që është një ligj edhe më i mirë se ai i qeverisë Berisha sepse Qeveria ka patur kohë të përmirësojë”, tha ai.

Sipas Vasjarit ligji është i domosdoshëm për të gjallëruar industrinë e riciklimit dhe argumentin e kundërshtarëve të ligjit se më parë duhet të pastrohen mbetjet në vend, e rrëzoi duke u shprehur se kjo nuk mund t’i kërkohet industrisë ricikluese.

“Nuk është detyrimi i saj të pastrojë Shqipërinë dhe nëse e njeh si industri duhet t’i lësh të zgjedhë vetë lëndën e parë”, tha ai.

Preç Zogaj vijoi duke kujtuar referendumin. Ai tha se tani që çështja është rikthyer, Kryeministri ja ka borxh referendumin qytetarëve.

Edhe ambientalisti Sazan Guri doli kundër ligjit. Ai tha se nuk është përmirësuar asnjë kusht për importin e mbetjeve.

“Kjo është një lojë e mirëfilltë politike. Unë jam kundër ligjit sepse kur mbetjet të bëhen zero këtu, atëherë ulemi dhe flasim për mbetjet që mund të jenë mall apo formë e parë. Në vendin tonë janë 10 mijë ton mbetje në ditë”, deklaroi ai.

Top Channel