Diferencimi i mbetjeve, memorandum mes Tiranës e Veronas

29/09/2016 00:00

Qytetarët e Tiranës do t’i hedhin mbeturinat nëpër kazane në mënyrë të diferencuar plastikat nga letrat apo mbetjet e ngurta. Në rrugët e kryeqytetit do të vendosen kontenjerë të rinj për këtë ku do të hidhen mbeturinat e ndara sipas kategorive.

Pastrimi i qytetit dhe menaxhimi i mbetjeve do të bëhet nga ndermarrrja e re publike e sapokrijuar në partneritet me Bashkinë e Veronës, ku 51 përqind të aksioneve do t’i ketë  Bashkia e Tiranës.

“Qytetarët e Tiranës duhet të kenë një garanci që do të kenë të njëjtin nivel takse të pastrimit, të njëjtën tarifë të pandryshuar për të marrë një shërbim shumë më të mirë sesa ai që kanë sot. Sigurisht që ne do të investojmë në kontejnerë të rinj, në pajisje moderne, në staf të kualifikuar, por do të shpenzojmë të njëjtën energji, siç po e bëjmë për infrastrukturën dhe makinerinë, për kulturën, për të arsimuar fëmijët, të rinjtë, familjet dhe të gjithë qytetarët sesi mund të jenë partnerë dhe bashkëpunëtorë të kësaj kompanie publike. Plani i ekspansionit është që pas 18 muajsh ne të kemi mbuluar gjithë territorin e Tiranës me kompaninë tonë të re “Eco Tirana”, kompania publike”, tha kreu i bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku i Veronës, Flavio Tosi, deklaroi se Shqipëria është në një rrugë transformimi të thellë dhe reformash të mëdha, ndërsa duke iu referuar marrëveshjes tha se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët që do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

“Jam absolutisht dakord që ky është vetëm fillimi, sepse për ne që do të punojmë, sigurisht me një kryesi italiane, sepse “knoë-hoë” (dija) është italian, por me punonjës shqiptarë, do të përpiqemi që të zhvillohemi bashkërisht, do e shohim me vëmendje të madhe dhe të veçantë këtë rrugëtim zhvillimi të përbashkët”, u shpreh Flavio Tosi.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në nënshkrimin e këtij Memorandumi, u shpreh se kjo marrëveshje është vetëm hapi i parë drejt një historie suksesi, në një fushë të pashkelur më parë.

“Sot jemi akoma në mes të një debati të nxehtë për riciklimin, ndaj është momenti për të dhënë një shembull të fortë për faktin se ne, nga njëra anë kemi një interes kombëtar, publik shumë të rëndësishëm për të mbështetur gjithë industrinë e lehtë shqiptare të riciklimit të mbetjeve të gjelbra, por, nga ana tjetër, kemi gjithashtu nevojë të ngremë në këmbë një sistem të ri për të transformuar qytetarët në partnerë të këtij aktiviteti, i cili është një aktivitet ekonomik i rëndësishëm për ndërmarrjet e riciklimit, por mbi të gjitha është një aktivitet qytetar për një mjedis të shëndetshëm, të pastër që krijon punësim, krijon punë të pastër dhe që e bën ekonominë më të fortë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Kryeministri tha se kjo nismë do të rrisë sasinë e mbetjeve që riciklohen në Shqipëri.Me këtë  marrëveshje synohet të filllojë  grumbullimi derë më derë të mbetjeve, sipas specifikave, në fillim me operatorët ekonomikë, pastaj edhe me familjet, ku shërbimi nuk mund të ndërhyjë me mjete teknologjike.

Top Channel