Kundërvajtje nga varfëria

29/09/2016 00:00

“Edhe këtu tek sahati po ta shkëpusin unë e rilidh. Kudo që ta shkëpusin unë e rilidh sepse marr vesh nga kjo punë. E bëj nga fukarallëku. Pa drita unë nuk ka se çfarë të bëj, më mirë të rri në burg. Drita, ujë të gjitha i kam atje”.

Siç ka paralajmëruar çdoherë që është arrestuar,  sapo ka lënë qelitë, Llazar Ristani e ka rilidhur sërish energjinë elektrike.

I regjistruar si invalid gjatë viteve të fundit, Llazari ka kërkuar punë me gjithë bashkëshorten, por pa rezultat. Për këtë shkak, faturë pas fature, familja Ristani grumbulloi një shumë prej më shumë se 800 mijë lekë të papaguara në OSHEE, duke u vendosur në vështirësi për të jetuar.

Të ndodhur në këto kushte, çifti gjeti si zgjidhje burgun. Pas historisë së publikuar në Top Channel, Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” u angazhua të paguajë borxhin disavjeçar si edhe faturat e energjisë në vijim.

“Fondacioni Dritan Hoxha ka vendosur që t’ju paguajë detyrimet e prapambetura dhe gjithashtu faturat e energjisë elektrike për vitet në vazhdim. Sapo ishim në zyrat e OSHEE, komunikuam dhe morëm të gjithë detyrimet”, njoftoi bashkëshorten e Lazar Ristanit, Presidentja e Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako.

Lajm të mirë ju ka dhënë çiftit të të moshuarve edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i cili ju ka dhënë shpresë për një vend pune.

Top Channel