Fallon: Shqipëria, bazë për stërvitje. Trupat tuaja, në “task forcën” e gatishmërisë

29/09/2016 00:00

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon flet ekskluzivisht për Top Channel, kur thotë se Shqipëria do të kthehet në një bazë për stërvitjet e aleancës. Ndaj ai konfirmon interesin e britanikëve për zonën e Bizës.

“Ajo çfarë është më mbresëlënëse sot, në fakt është sesa të ngjashëm jemi në mënyrën sesi këmbësoritë dhe forcat tona komando stërviten. Por këtu, në të vërtetë kemi një zonë stërvitjeje shumë më të mirë, sesa ç’mund ta kishim në Mbretërinë e Bashkuar. Një zonë më e lehtë për t’u stërvitur dhe kemi mundësinë për të punuar bashkë si aleatë kyç. Vitin tjetër, Britania do të drejtojë “task forcën” e gatishmërisë shumë të lartë dhe trupat shqiptare do të jenë pjesë e asaj force. Ushtarët mësohen duke punuar bashkë dhe të stërviten bashkë”, shprehet Fallon.

Sekretari Fallon është ndalur edhe në marrëdhëniet NATO-Rusi.

“Shohim një Rusi më agresive ndaj vendeve anëtare të NATO-s dhe jo vetëm vendeve Balltike e Polonisë, por nga ana tjetër edhe më provokuese në Lindje dhe në Jug gjithashtu. Ajo që është e rëndësishme është që NATO të jetë e gatshme që të përgjigjet. NATO është një aleancë mbrojtëse dhe nuk kërcënon askënd. Një aleancë ku jemi të vendosur që të mbrojmë njëri-tjetrin, të punojmë bashkë, stërvitemi bashkë. Kjo stërvitje që patë sot është një hap për të ardhmen. Ju do të shihnin trupat shqiptare, britanike, amerikane të trajnohen bashkë”, tha më tej Sekretari Fallon.

Por a do të ndikojë dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja në sigurinë e Europës?

“Ne do të largojemi nga BE-ja, por do të mbetemi të përkushtuar në sigurinë e Europës, në sigurinë e kontinetit europian. Ky është kontinenti ynë, ashtu siç është edhe i juaji. Unë dua t’iu siguroj se ne jemi të vendosur ta mbrojmë atë. Siç e dini, do të dërgojmë vitin tjetër trupa në Poloni e Estoni. Kemi buxhetin më të madh për mbrojtjen nga vendet anëtare të NATO-s në Europë dhe nuk do tërhiqemi nga vendosmëria jonë, që Europa të jetë e mbrojtur”, deklaroi Fallon.

Në fund, Sekretari britanik i Mbrojtjes Michael Fallon është ndalur edhe te lufta kundër Shtetit Islamik.

“Në lidhje me DAESH (akronimi arab per Shtetin Islamik), koalicioni ka bërë progres. Në Irak, DAESH është tërhequr dhe tashmë ndodhet vetëm në qytetin e Mosulit. Operacioni për të marrë Mosulin, ne presim që të nisë së shpejti. Progres është bërë edhe në Siri, edhe pse është më i ngadaltë për shkak të luftës civile atje. E rëndësishme është që, jo vetëm të ndihmojmë qeverinë e Irakut apo t’i japim fund luftës civile në Siri, por të mbajmë Europën të sigurtë, sepse disa nga terroristët që kemi parë dhe sulmet që kemi parë në qytetet tona janë planifikuar në qendrat më të rrezikshme të DAESH, siç është Raqqa dhe Mosuli”, përfundon intervistën Michael Fallon.

Top Channel