Mitrovicë, kryetari Bahtiri dënon arrestimin e Nehat Thaçit

29/09/2016 00:00

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka dënuar ashpër arrestimin nga ana e Policisë Kufitare serbe të nënkolonel Nehat Thaçit, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Bahtiri thotë se arrestimi i nënkolonelit të Policisë së Kosovës, nga ana e Policisë së Serbisë, nën akuzën për terrorizëm, është një veprim i papranueshëm, që ka zgjuar indinjatë të thellë te të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe të rajonit.

“Nënkolonel Thaçi është një drejtues i shkëlqyeshëm i policisë rajonale në Mitrovicë. Që nga ardhja e tij në krye të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, krimi, kontrabanda dhe dukuritë e tjera joligjore dhe keqbërëse kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Falë punës së tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe policëve që ai mbikëqyr, Mitrovica sot është një nga qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Sigurisht që kjo pengon grupet kriminale dhe pushtetin e Serbisë, që nga ana e tij dëshiron që në Mitrovicë e Kosovë të mos ketë stabilitet, ndaj edhe ka arrestuar nënkolonel Thaçin”, thotë Bahtiri.

Ai kërkon që autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare të shtojnë presionin tek autoritetet e Serbisë për lirimin sa më parë të nënkolonel Thaçit.

Top Channel