MPJ, MPB dhe zyra e BE-së në Beograd, në negociatat për lirimin e Thaçit

29/09/2016 00:00

Në një prononcim për “Indeksonline”, shefi i kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Bashmir Xhemaj ka theksuar se kjo ministri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet serbe dhe institucionet e tjera të ndërlidhura me rastin e arrestimit të kryepolicit të Mitrovicës në Bujanoc.

Nehat Thaçi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në pjesën kufitare të Kosovës me Serbinë, te “Dheu i Bardhë”, apo më saktë në fshatin “Konçul”.

“Prej mbrëmë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe diplomatët tanë në Beograd janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet serbe dhe institucionet e tjera të ndërlidhura me rastin”, thuhet nga MPJ.

Sipas Xhemajt, është duke u bërë gjithçka që të ketë zhvillime pozitive. “Mund të konfirmojmë se po bëjmë gjithçka si MPJ për këtë rast, ndaj dhe presim të ketë zhvillime pozitive”, ka përfunduar Xhemaj.

Në negociatat për lirimin e Nehat Thaçit është përfshirë edhe zyra e Bashkimit Europian në Beograd. Lajmin për fillimin e bisedimeve e ka konfirmuar për “Express” koordinatori kombëtar në Qeverinë e Kosovës për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, njëherazi zv.ministër i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviç.

Ai ka thënë se nuk mund të jepen informacione të tjera lidhur me këtë çështje për shkak të ndjeshmërisë, sepse ende nuk ka diçka konkrete. Për këtë punë janë duke punuar Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, si dhe zyra e BE-së në Beograd.

Radojeviç shpreson se deri pasditen e së premtes, drejtori i policisë së Mitrovicës do të lirohet nga burgu. Edhe pse sonte ai pritet që të dalë para Gjykatës në Beograd.

Top Channel