Bruksel, Haliti në diskutime për vizat dhe MSA-në

29/09/2016 00:00

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti po qëndron për një vizitë zyrtare në Bruksel, për të parë nga afër ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Gjatë vizitës në Bruksel, nënkryetari Haliti është takuar së pari me kryetarin e Komisionit Parlamentar Europian për marrëveshjen e MSA-së me Kosovën, Tonino Picula.

Gjatë diskutimit për liberalizimin e vizave, Haliti dhe Picula kanë vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe se ka mbetur vetëm çështja e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

“Temë e veçantë e takimit ishte edhe koordinimi i punëve të Komisionit të përbashkët të MSA-së. Në nëntor do të mbahet mbledhja e përbashkët. Ministria e Punëve të Jashtme duhet urgjentisht që, përmes komunikimit zyrtar me Parlamentin Europian, të rregullojë statusin protokollar të Komisionit Parlamentar për MSA-në, me qëllim që të jemi më aktivë në këtë Parlament, përmes pjesëmarrjes në seanca, komisione dhe për të lobuar”, tha Haliti pas takimit me Piculan.

Në këtë takim janë diskutuar edhe çështje të brendshme organizative, që kanë të bëjnë me Komisionin e përbashkët Parlamentar, ku Haliti dhe Picula janë bashkëkryetarë.

Gjatë vizitës në Bruksel, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti do të ketë takime edhe me zëvendëspresidenten e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, dhe me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon.

Top Channel