PD: Qeveria “Rama”, sëmundja epidemike që po shkatërron biznesin dhe Shqipërinë

29/09/2016 00:00

Partia Demokratike, me anë të Kryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi, ka akuzuar edhe një herë qeverinë “Rama” se po mashtron publikun shqiptar, madje edhe institucionet ndërkombëtare.

“I zhytur në avujt e drogës dhe në duhmën e plehrave, për të mbuluar politikat shkatërrimtare në Arsim dhe Shëndetësi, Rama po mashtron jo vetëm publikun shqiptar, por edhe institucionet ndërkombëtare. Rama duke shkatërruar këto dy sektorë jetikë, ofertën e vetme për shqiptarët ka trekendëshin: plehra, drogë dhe prostitucion… I la 18 vjecarët në rrugë, u hodhi poshtë mundin e djersën dhe me të mirët prej tyre presin të dëshpëruar tepricat e kuotave të reformës korruptive “Rama”. U hodhi poshtë projektet dhe ëndrrat, sepse iu tek një ditë të ndryshonte papritur rregullat e lojës. Dhe këtë sot, e shet si sukses!

Vokshi në deklaratën e saj për shtyp thotë se Rama përsëri gënjeu për shëndetësinë, “duke u mburrur me “reformat” korruptive që i kanë shpartalluar spitalet dhe Qëndrat Shëndetësore”.

“Rama nuk tregoi që‎ raporti studion ndikimin në biznes të tre sëmundjeve epidemike: malarjes, tuberkulozit dhe Sidës dhe asgjë tjetër!!! Raporti nuk mat asnjë tregues tjetër shëndetësor. Por edhe për këto tre sëmundje Rama ka gënjyer zyrtarisht Institucionet Ndërkombetare. Forumi është gënjyer se në Shqipëri nuk ka të sëmurë me Sida. Rama nuk ka raportuar që në një hark kohor prej 10 ditësh, 6 persona të prekur nga kjo sëmundje kanë humbur jetën për mungesë barnash e kurash në QSUT. Po si mund të flasë Rama për Shëndetësinë, ende pa ngushëlluar familjen Cakja për humbjen e jetës së Aidës dhe foshnjës së saj 41 javëshe pas 8 orë sorollatje në spitalet publike dhe private??? Si mund të flasë Rama për Shëndetësinë, kur jetë të tjera nënash rrezikohen për mungesë të mjekëve gjinekologë dhe të specialisteve të tjere klinike në rrethe???”, thotë Vokshi.

Deputetja e Partisë Demokratike vijon më tej duke thënë: “Statistikat e milionave që ka cuar në koncesionet e Vilmës dhe të muratorit nga Perugia ia kanë marrë mendjen Kryeministrit, i cili nuk numëron viktimat për mungesën e ilaceve në klinikën ambulatore të Hiv/Aids, në spitalin Onkologjik dhe në Shërbimin e Hematologjisë brenda Qëndrës Universitare Spitalore dhe rastet tragjike në maternitete”.

Vokshi thotë se Rama është i preokupuar vetëm për një reformë: zhvatjen e shëndetësisë publike.

“I dehur nga “hashashi” Kryeministri është i preokupuar vetëm për një reformë: zhvatjen e shëndetësisë publike, marrjen e parave të taksapaguesve shqiptarë për koncesionet korruptive e absurde të check up/it, sterilizimit, dializës, për të mbajtur me para ortakët dhe klientët e tij në biznesin qeveritar”, përfundon deklarata e Kryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në PD.

Top Channel