Vdekja e nuses së Alban Hoxhës, Prokuroria kërkon 10 vite burgim për mjekët

29/09/2016 14:50

Prokuroria kërkon dënim maksimal për dy mjekë të Maternitetit “Koço Gliozheni”, të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen.

Pesë vite burgim për gjinekologun Petrit Rexhepi dhe po aq për anestezisten Elona Burba, ka qenë pretenca e prokurorit Erion Imeraj, ndaj dy mjekëve që akuzohen për vdekjen e së ndjerës Doriana Haka, ish-bashkëshortes së futbollistit të partizanti, Alban Hoxha.

Doriana humbi jetën pas një operacioni cezarian për sjelljen në jetë të fëmijës së parë. Por pas operacionit, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua deri në humbjen e jetës. Ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se, pakujdesia dhe neglizhenca e dy mjekëve Rexhepi dhe Burba, që operuan të ndjerën, kanë sjellë pasojën e rëndë.

Sipas mjekëve ligjorë, e ndjera vuante nga probleme kardiake, të cilat nuk janë konstatuar para operacionit. Asaj nuk iu kryen analiza dhe konsulta para operacionit, procedurë e cila do të nxirrte në pah problemet e pacientes dhe mjekimi i nevojshëm do të shmangte trombozën, e për rrjedhojë edhe pasojën e rëndë, përcakton ekspertiza mjekoligjore ndaj mjekëve.

Përveç dënimit me burgim, Prokuroria kërkoi si masë plotësuese ndaj mjekëve edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të mjekut për 5 vite. Gjykata u la të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës dy javë kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.

Top Channel