Shokon boksieri Manny Pacquiao: Merrja drogë

29/09/2016 00:00

Ikona filipinase e boksit, njëkohësisht senator Manny Pacquiao, foli hapur për historinë e vet me drogën në të shkuarën pavarësisht miqësisë që ka me presidentin Rodrigo Duterte, lufta e ashpër e te cilit ndaj lëndëve narkotike është bërë shkak për 3.000 vdekje.

Pacquiao, i mbiquajtur “shkatërruesi”, për lëvizjet brenda ringut që i kanë sjellë miliona dollarë fitime, pranoi se e ka përdorur drogën në rininë e tij të hershme, i pandërgjegjshëm për rrezikun e madh të saj.

“I kam përdorur drogat më parë dhe kuptova sa të dëmshme ishin për organizmin. E pranoj, nuk e mohoj dot që e kam bërë një gjë të tillë, por kjo ka ndodhur më parë dhe është arsyeja përse e mbështes kaq fort presidentin në luftën e tij”, u shpreh Manny Pacquiao.

Drogat për të cilit fliste boksieri përfshijnë metamfetaminën, që vendasit e njohin si “shabu”, marijuanën dhe kokainën.

Të gjitha këto, Pacquiao i ka përdorur për vite të tëra kur ishte i ri, përpara se të bëhej kampion. Miqësia mes “shkatërruesit” dhe presidentit që me veprimet e tij ka fituar nofkën “ndëshkuesi” ka nisur përpara 15 vjetësh, në një ring të Davaos, ku Duterte ka sponsorizuar njërin prej dyluftimeve të Pacquiaos.

Top Channel