Investimi i OSHEE në Durrës, Çela: Në 2017 nuk do ketë probleme në gjithë qarku

29/09/2016 00:00

Brenda vitit 2017 i gjithë rajoni i Durrësit pritet të mos ketë më probleme në furnizimin me energji elektrike. Deklarata u bë nga kreu i OSHEE-së Ardian Çela gjatë inspektimit të përfundimit të investimit prej 1.5 milionë eurosh për ndërtimin e 5 fiderave të rinj në nënstacionin elektrik të Spitallës.

“Përfundoi investimi 1.5 milion euro për ndërtimin e 5 fiderave dhe me to qyteti i Durrësit do të ketë cilësi më të mirë furnizimi dhe më pak defekte në rrjet. Qytetit të Durrësit nuk do t’i mungojë më energjia elektrike”, shprehet Ardian Çela, drejtor i OSHEE.

Sipas Çela, deri më sot, OSHEE ka investuar dhe po investon në Durrës rreth 17 milionë euro nga fondet e veta. Një sërë ndërhyrjesh të tjera po bëhen në rrjetin elektrik të zonave të ndryshme për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor të konsumatorëve, përfshirë dhe zonat turistike të plazhit, Gjirit të Lalëzit dhe Golemit.

“Së shpejti fillon edhe një nënstacion tjetër në Gjirin e Lalzit, nënstacioni pasohet edhe me rrjetin 20 kilovoltë për të gjithë atë zonë turistike të gjirit të Lalzit, nënstacioni i Shkozetit, i Golemit. Nuk ka asnjë arsye që në sezonin që do të vijnë të ketë probleme të energjisë elektrike”, shprehet Çela.

Së shpejti pritet që të rikonstruktohen edhe 22 kabina të amortizuara të cilat do të ndikojnë në uljen e nivelit të humbjeve nga 30 % që është aktualisht në 8 përqind.

Top Channel