Pas piramidave, Berisha kërkon sërish ndjesë

29/09/2016 00:00

Pesë vite më parë, njësoj si Edi Rama sot, Sali Berisha udhëhoqi një fushatë intensive në mbrojtje të ligjit që lejonte importin e mbetjeve. Por, pak ditë pas reflektimit të Lulzim Bashës, nuk mungoi edhe një “mea culpa” nga ish-kryeministri.

“Analizuar në retrospektivë, unë besoj se s’duhej ta kisha bërë këtë veprim. Unë e bëra veprimin, sepse isha i bindur se do të kontrollonim çdo gjë, meqenëse do jepnim me vendim qeverie, rast pas rasti, të drejtën e importit”, u shpreh Berisha.

Sali Berisha e lidhi reflektimin e tij me mungesën e kontrollit në dogana, duke iu referuar një rasti të qeverisë “Rama”.

“Por duke konstatuar këtë që ka ndodhur në vitin 2014, që doganat shqiptare kanë futur, në kundërshtim flagrant me ligjin, 335 mijë tonë… Unë personalisht nuk besoj se kjo do të ndodhte, por nuk mund ta përjashtoj 100%, ndaj dhe unë dal këtu me një rishqyrtim të qëndrimit tim. Pse kam reflektuar dhe pse reflektoj? Reflektoj se është helm. Reflektoj se është pleh”, tha Berisha.

Kjo është hera e dytë që Sali Berisha pranon një gabim të qeverisjes së tij. Dhe, njësoj si ai i vitit 2008 për lejimin e firmave piramidale, pendesa vjen shumë afër zgjedhjeve parlamentare.

Top Channel