Me mijëra persona në homazhet për të ish-presidentin izraelit Shimon Peres

29/09/2016 00:00

Me mijëra vetë kanë bërë homazhe përpara arkmortit të hapur të ish-presidentit Shimon Peres, të konsideruar si njëri prej etërve themelues të shtetit të Izraelit. Trupi i fituesit të Nobelit të paqes ishte vendosur përpara Knessetit në Jeruzalem, ku është nderuar dhe nga liderë të vendit.

“Erdhëm këtu për të nderuar një njeri të madh, një njeri që ndihmoi në ndërtimin e këtij kombi e që la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Më vjen keq që vdiq”, tha Nate Nanus.

“Erdhe t’i bëjmë homazhet tona një njeriu të mrekullueshëm për të cilin mendonim se do të jetonte përgjithmone. Ne e mbështesnim vizionin e tij. Ishte njeri me një ëndërr të madhe, atë të vendosjes së paqes në rajon, të arritjes së një Lindjeje të Mesme të re. Për fat të keq, qëllimi i tij nuk është arritur, por ne nuk duhet të dorëzohemi”, tha Alexa Neville.

Shimon Peres i shërbeu vendit të tij që nga themelimi dhe gjatë karrierës së vet të gjatë ka mbajtur pothuajse çdo post të lartë politik në Izrael. Me mijëra policë janë mobilizuar për garantimin e sigurisë gjatë homazheve dhe funeralit të këtij burri të madh shteti. Postblloqe janë ngritur në mbarë Jerusalemin, ndërsa mes figurave të larta që pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore do të jenë mes të tjerësh edhe Princi Charles, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, presidenti francez, Francois Hollande si dhe paraardhësi i tij Nicolas Sarkozy.

Top Channel