“Shimon Peres, mik i shqiptarëve”

28/09/2016 00:00

Për të gjithë izraelitët, Shimon Perez është ati themelues i shtetit modern hebre, i cili gjithë jetën e tij punoi për ndërtimin e vendit dhe për të shtruar një rrugë më të sigurtë për të ardhmen.

Por ai ishte dhe një njeri që punoi për paqen në Lindjen e Mesme, vizion i cili sipas ambasadorit të Izraelit në Tiranë Boaz Rodkin, do të mbetet.

“Edhe pse ai nuk është më, vizioni i tij do të mbetet tek ne. Ai mori çmimin Nobel për Paqen dhe vizioni i tij për paqen do të mbetet në zemrat dhe mendjet e të gjithë njerëzve të Izraelit, e te gjithë politikanëve të Izraelit. Jam i bindur që vizioni i tij do të mbetet edhe në rajon dhe shpresoj që shpirti i tij të ketë ndikim edhe në negociatat e ardhshme në Lindjen e Mesme”, thotë ambasadori Rodkin.

Ambasadori rrëfen dhe lidhjen e Shimon Perez me Shqipërinë.

“Ai ishte një mik i madh i Shqipërisë. Ishte ministri i parë i Jashtëm që vizitoi Shqipërinë. Ai erdhi në Tiranë në 1994 dhe njerëzit që ishin këtu të përfshirë me vizitën e tij, më kanë thënë që ai ishte një figurë shumë e dashur edhe për qytetarët shqiptarë. Ai gjithashtu ishte një njeri i librave dhe pëlqente që të lexonte vargjet e Lord Bajronit për Shqipërinë, Ali Pashën”, rrëfen ambasadori izraelit në Tiranë.

Në fund, ambasadori Rodkin citon dhe një thënie të ish-Presidentit Perez.

“Shikoni axhendën tuaj për sot dhe nëse totali i endrrave që t’i ke është më i madh se lista e gjërave që ke për të bërë, atëherë je në rrugën e duhur, sepse t’i duhet të vazhdosh dhe të realizosh endrrat e tua në të ardhmen. Prandaj asnjëhere mos u ndalni së endrruari për ta bërë këtë vend ku jetojmë, një vend më të mirë”, citon Rodkin.

Top Channel