Rama në fabrikën e riciklimit: Sistem për diferencim të mbetjeve

28/09/2016 00:00

Për të bërë sa më konkrete përfitimin e ekonomisë nga rivënia në punë me kapacitet të plotë të industrisë së riciklimit, kryeministri Edi Rama ka shkuar vetë në disa prej fabrikave.

Njëra prej tyre në Tiranë, me mbetje plastike, prodhon plasmas të një cilësie për eksport. Kryeministri u kujdes të tregojë ndryshimin e asaj që rëndom quhen plehra me mbetjen që përdoret si lëndë e parë për prodhimin e disa materialeve që përdoren në ndërtim dhe bujqësi.

“Plehrë është çfarë shkon për t’u djegur dhe për t’u zhdukur, ndërsa mbetjet e gjelbra janë lëndë e parë. Ligji i ri iu jep mundësinë që duke rritur sasinë e lëndës së parë ju të prodhoni tuba për serat e vendit dhe ta plotësoni tërësisht kërkesat e vendit me cilësi dhe sasi”, u shpreh Rama. 

Kryeministri thotë se duke fuqizuar industrinë e riciklimit, ajo do të rrisë kapacitetet për trajtimin e mbetjeve vendase, një proces që pritet të mbështetet nga pushteti lokal duke nxitur diferencimin e mbetjeve që në burim.

“Nëse ju sot pastroni 120 mijë ton mbetje të këtij lloji nga territori i Shqipërisë, ne duam që këtë ta shtojmë që të mos lëmë asnjë gjë të riciklueshme që të na ikë dëm”, shtoi Rama.

Sipas llogarive të qeverisë, duke punuar me kapacitet të plotë industria e riciklimit do t’i sjellë ekonomisë 150 milionë euro në vit ose siç thotë kryeministri Rama sa 1 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Top Channel