Bombardimet në Alepo; Papa: Do të përgjigjeni para Zotit

28/09/2016 00:00

Papa Francesku ka bërë thirrje për bombardimet kundër civilëve në qytetin sirian të Alepos, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të përballeshin me gjykimin e Zotit.

Duke folur para dhjetëra mijëra njerëzve në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, Ati i Shenjtë e përshkroi Alepon si një qytet të martirizuar ku po vriten të gjithë pa përjashtim, fëmijë, të moshuar, të sëmurë e të rinj.

Ai nuk i identifikoi fajtorët, por referenca ndaj qeverisë siriane dhe përkrahësve rusë që kanë intensifikuar ofensivën në zonat e kontrolluara nga rebelët është e qartë.

‘Përsëris për të gjitha palët thirrjen që të përkushtohen me të gjithë forcat për mbrojtjen e civilëve. Kjo është një detyrë urgjente. I bëj thirrje ndërgjegjes së personave përgjegjës për bombardimet të cilët një ditë do duhet të japin llogari përpara Zotit”, tha Papa.

Mesazhi i Papes erdhi disa orë pasi banorët raportuan se një furrë buke dhe një spital i madh ishin goditur nga bombardimet në pjesën lindore të Alepos ndërsa forcat qeveritare po përpiqen të marrin kontrollin e të gjithë qytetit.

Shtetet e Bashkuara thonë se Alepo është prova e gjallë se Presidenti Bashar Al Asad dhe aleatet e tij rusë dhe rajonalë braktisën procesin e paqes për të arritur fitoren në sheshin e betejës pas një lufte gati 6-vjeçare.

Washingtoni, që bashkë me Rusinë ndërmjetësoi një armëpushim të përkohshëm që dështoi javën e kaluar akuzoi Moskën dhe Damaskun për barbarizëm dhe krime lufte, pasi po shënjestronin civilët, punonjësit e shëndetësisë dhe karvanet me ndihma.

Më shumë se 250 mijë civilë besohet të jenë bllokuar brenda zonave të kontrolluara nga rebelët në Alepo, ku bombardimet intensive gjatë javës së fundit kanë shkaktuar qindra viktima, e kanë lenë pa bukë e pa ujë mijëra të tjerë.

Top Channel