Meta pret zv/kryeministrin maqedonas: Zgjidhni ngërçin politik të avancojmë së bashku

28/09/2016 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta priti sot zv/kryeministrin e Maqedonisë Festim Halili, i cili shoqërohej prej Ministres së Vetëqeverisjes Lokale znj. Shiret Elezi.

Ndërsa u uroi suksese në punën e tyre, Meta vuri në dukje se zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë e cila është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjatë të ndërlidhjes rajonale.

Në këtë kuadër u theksua se stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Meta theksoi se Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve tona. Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit.

Zv/kryeministri i Maqedonisë, Festim Halili vlerësoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryetarit Meta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje dhe nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore si Korridori 8 janë vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve.

Top Channel