Nis shitja e biletave për Kosovë-Kroaci, ja ku mund të blihen

28/09/2016 00:00

Premiera historike në eliminatoret e një turneu madhor kaloi me sukses dhe tashmë në fokusin e përfaqësueses së Kosovës në futboll, është Kroacia.

Nga kjo e enjte e deri më 6 Tetor do të jenë në treg plot 16 mijë bileta për sfidën e dytë që shteti shqipfolës do të luajë për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018,” një ndeshje me koefiçent të lartë vështirësie dhe një derbi ballkanas që rajoni jonë ndoshta nuk e mendonte kaq shpejt.

Vetëm një sasi e vogël e biletave do të dalin në shitje para stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër në ditën kur Kosova do të luajë kundër Kroacisë. Pjesa tjetër e biletave do të dalë në shitje nëpër të gjitha filialet e kompanive të transferimit të parave  në Kosovë. Bileta më e lirë do të kushtojë 7 euro, kurse biletat në tribunën VIP kanë një kosto më të lartë, 130 euro.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë do të luhet më 6 tetor në Shkodër dhe nis në orën 20:45. Për Kosovën kjo do të jetë ndeshja e dytë eliminatore dhe e para si vendase. Por për shkak të mungesës së një impianti që plotëson kushtet e UEFA-s, ekipi i trajnerit Albert Bunjaku ndeshjen ndaj dalmatëve do ta luajë në Shkodër.

Top Channel