Britania kundër ushtrisë së përbashkët europiane

28/09/2016 00:00

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mirëpriti idenë e krijimit të një force ushtarake për Europën, duket se nuk i ka ndryshuar qëndrimin Britanisë së Madhe, e cila vazhdon të jetë kundër kësaj ideje.

Sekretari i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, i cili zhvilloi të parën vizitë zyrtare me ministren shqiptare të mbrojtjes, Mimi Kodheli, rikonfirmoi qëndrimin e vendeve që përbëjnë mbretërinë, kundër një force të përbashkët ushtarake në Europë.

“Sipas bisedës që zhvilluam të martën në Samitin e Bratisllavës, qëndrimi i shteteve që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar është që krijimi i një force tjetër që mund të dublojë forcat e NATO-s, për momentin nuk është një domosdoshmeri. Por ne jemi në bisedime dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet europiane që janë pjesë e NATO-s, për të gjetur zgjidhje përballë kërcënime të përbashkëta që na vijnë në rrugë të ndryshme”, deklaroi Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon.

Ndërkohë, gjatë takimit me ministren Kodheli, sekretari Fallon diskutoi çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit, në mënyrë të veçantë kundër terrorizmit. Të dy homologët shprehen gatishmëri për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Top Channel