Fatura e drejtësisë, 1.8 mld lekë shtesë për reformën

28/09/2016 00:00

Reforma në drejtësi nuk është vetëm çështje politike dhe ligjore. Ajo ka edhe një faturë financiare me të cilën shoqërohet. Pikërisht këtë faturë miratoi Qeveria në mbledhjen e saj këtë të mërkurë.

Vendimi i Qeverisë do të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Parlament dhe do të miratohet me 6 tetor së bashku me 6 ligjet e tjera të reformës në drejtësi.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se do të ketë një kosto shtese për sistemin e  drejtësisë prej 1,8 miliardë lekësh, rreth 13 milion euro, që do të nisë që këtë vit dhe shpjegoi se ku do të shkojnë paratë.

“Paketa ka të bëjë me rritjen e pagave, me rritjen e numrit të punonjësve dhe mbi të gjitha me koston e ngritjes së institucioneve të reja që janë referuar në gjithë paketën kushtetuese të reformës në drejtësi”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj deklaroi se vitet në vijim reforma do të reflektojë në ekonominë shqiptare me shtimin e investimeve të huaja duke rritur besimin e sipërmarrësve, po ashtu do të ndikojë edhe në rritjen e besimit të qytetarëve.

Top Channel