Rama: Në universitet, më të mirët. Raundi i dytë, çlirim

28/09/2016 00:00

Nga Divjaka, edhe një herë Kryeministri Rama ka qetësuar mijëra të rinj që janë ende në fazën e dytë të pranimeve në universitet, teksa theksoi se askush nuk do të mbetet pa shkollë të lartë. Por ajo të cilën Edi Rama u kujdes të saktësojë është fakti se ky sistem është për më të mirët.

“Sistemi duhet t’i shërbejë më të mirëve dhe më vjen shumë mirë që pas 25 vjetësh, ne e kthyem sistemin në një sistem që i shërben më të mirëve dhe që sot të gjithëve u garanton një gjë, e kanë në dorë vetëm vetë. Nuk e ka në dorë askush tjetër. As miku, as partia, as leku”, tha Rama.

Kryeministri tha se raundi i dytë i pranimeve në universitet do të jetë një çlirim për ata të rinj, që nuk u shpallën fitues që në raundin e parë.

“Nuk do mbetet njeri që e meriton dhe që plotëson kriteret pa shkuar në shkollë, sepse ata që fituan në raundin e parë, praktikisht zunë nga 10 degë, apo 9 ose 8, vetëm një vend. E janë vetëm pesë mijë e pak vende të zëna. Të gjitha vendet e tjera janë të lira dhe për vendet e lira tani konkurrohet në raundin e dytë e pastaj nuk ka më raund të tretë, por ka një sistem të vijës së kuqe që zbret në mënyrë kompjuterike. Kështu gjithë kuotat e vëna në dispozicion do të plotësohen”, u shpreh Kryeministri.

Për ministren e Arsimit, Nikolla, reforma e shkollës së mesme do të lehtësojë nxënësit nga mbingarkesa, pasi ata do të orientohen tashmë vetëm nga lëndët që pëlqejnë.

Pas vizitës në shkollën “Miti Zaka” të rikonstruktuar, kreu i qeverisë vizitoi qendrën e rilindur urbane të Divjakës, me një vlerë investimi 186 milionë lekë.

Top Channel