Bruksel, Tahiri: Qëndrimi i Kosovës për kodin telefonik, i prerë

28/09/2016 00:00

Në Bruksel zhvillohet këtë të mërkurë dita e tretë e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Ky raund i ri bisedimesh për kodin telefonik vjen pasi autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë nuk kanë arritur të gjejnë zbatim për marrëveshjen e vitit 2013.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri ka thënë për “Indeksonline” se qëndrimi i delegacionit kosovar mbetet i prerë sa i përket kësaj çështjeje.

“Bisedimet po vazhdojnë për kodin telefonik. Qëndrimi ynë është i prerë: Serbia duhet t’i dërgojë letër ITU-së se pajtohet që Kosova të marrë kodin telefonik nga ITU”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, ky është edhe detyrim i Serbisë, i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për telekomin. Edhe në gusht të këtij viti, bisedimet për kodin telefonik mes Kosovës dhe Serbisë dështuan, për shkak të mosgatishmërisë së palës serbe.

Sipas Ministrisë për Dialogun, delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht të përputhshme me ligjet e Republikës së Kosovës.

Top Channel